Agjencia e Statistikës së Kosovës (ASK) ka publikuar të dhënat preliminare në baza mujore për Lindjet, Vdekjet, Kurorëzimet dhe Shkurorëzimet për muajin janar 2022
Këto të dhëna publikohen duke u bazuar në të dhëna administrative, transmeton Fol Drejt.
Sipas dispozitave ligjore mbi udhëheqjen e regjistrave themeltarë për Lindjet, Vdekjet, Kurorëzimet dhe Shkurorëzimet, rastet regjistrohen në mënyrë obligative në regjistrat e lartë-cekur, në vendin në të cilin ka ndodhur ngjarja, pa marrë parasysh se personat me të cilët lidhet ngjarja, vendbanimin e përhershëm e kanë në atë vend ose në ndonjë vend tjetër.
Në muajin janar janë regjistruar 2 107 lindje (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej këtyre lindjeve të regjistruara në muajin janar, 1 034 lindje janë meshkuj dhe 1 073 lindje janë femra.
Ndërsa janë regjistruar gjithsej 997 vdekje (brenda dhe jashtë Kosovës). Prej vdekjeve të regjistruara 516 janë meshkuj dhe 481 janë femra.
Në muajin janar 2022 janë regjistruar gjithsej 1 827 kurorëzime (brenda dhe jashtë Kosovës). Ndërsa, janë regjistruar 119 shkurorëzime, në muajin janar 2022.
ASK-ja do të vazhdojë me grumbullimin e të dhënave përmes pyetësorëve të veçantë statistikorë, për Lindjet DEM-1, Vdekjet DEM-2, Kurorëzimet DEM-3 dhe Shkurorëzimet SHK-1, sikurse deri më tani. Grumbullimi i të dhënave vazhdon të bëhet çdo muaj dhe do të shërbejë për krijimin e bazës së të dhënave, si dhe krahasimin me të dhënat administrative.
Burimi i të dhënave të këtij Buletini është Agjencia e Regjistrit Civil të Kosovës (ARC)./FolDrejt/