Sot më 22 mars shënohet Dita Botërore e Ujit. Ideja për këtë ditë ndërkombëtare daton në vitin 1992, vit në të cilin u zhvillua Konferenca e Kombeve të Bashkuara për Mjedisin dhe Zhvillimin në Rio de Zhaneiro. Në të njëjtin vit, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara miratoi një rezolutë me të cilën 22 marsi i çdo viti shpallej Dita Botërore e Ujit, që do të festohej duke filluar nga viti 1993.
Më vonë u shtuan edhe festime dhe ngjarje të tjera. Për shembull, Viti Ndërkombëtar i Bashkëpunimit në Sferën Ujore 2013, dhe Dekada Ndërkombëtare aktuale për Veprim mbi Ujin për Zhvillim të Qëndrueshëm, 2018-2028. Këto shërbejnë për të riafirmuar se masat e ujit dhe kanalizimeve janë kyçe për reduktimin e varfërisë, rritjen ekonomike dhe qëndrueshmërinë mjedisore.
Fokusi kryesor i Ditës Botërore të Ujit është të mbështesë arritjen e Objektivit 6 të Zhvillimit të Qëndrueshëm: Ujë dhe kanalizime për të gjithë deri në vitin 2030, përcjell Klankosova.tv
Këtë vit, sipas Kombeve të Bashkuara, fokus janë ujërat nëntokësore, një burim i padukshëm me një ndikim të dukshëm kudo.
“Jeta nuk do të ishte e mundur pa ujërat nëntokësore. Shumica e zonave të thata të botës varen tërësisht nga ujërat nëntokësore. Uji nëntokësor furnizon një pjesë të madhe të ujit që ne përdorim për të pirë, kanalizime, prodhimin e ushqimit dhe proceset industriale. Është gjithashtu shumë e rëndësishme për funksionimin e shëndetshëm të ekosistemeve, të tilla si ligatinat dhe lumenjtë”, sipas Kombeve të Bashkuara.