Franz Schubert u lind në po këtë datë, 31 janar, 1797, në Himelfordgund të Austrisë. I rrethuar nga instrumentet dhe tingujt, mësimet e para nisi t’i marrë në familjen e tij muzikante, duke shfaqur talentin e jashtëzakonshëm. Prirja e Schubertit të ri në muzikë u pikas nga i ati, që ishte mësues muzike.
Më pas mori mësime në kishën lokale, duke luajtur në violinë e organo. Kështu ai arrin t’i marrë vëmendjen kompozitorit italian Antonio Salieri, që atëkohë ishte ndër personat më të nderuar në Vjenë dhe njëri ndër muzikantët më të shquar.
U bë nxënës i tij. Mësoi shumë. Aftësitë e Schubertit në kompozim ishin të jashtëzakonshme, ndaj udhëhoqi orkestrën e Stadtkonviktit si dhe mori mësime shtesë nga mësuesi, Salieri. Schuberti po e mahniste tërë Vjenën me aftësitë e tij. Kështu e nisi karrierën: shkroi pjesë kamertale e pjesë për piano; u takua me sopranon Therese Grob, me të cilën interpretoi në vitin 1814.
Franz Schuberti futet në mesin e kompozitorëve novatorë më të shquar; bashkë me Beethovenin u bë figura madhore e romantizmit. Schuberti u bë i famshëm për idetë e reja dhe përsosmërinë në kompozim. Megjithëse nuk mundi të zhvillojë karrierë të gjatë (vdiq në moshë të re 31-vjeçare), shkroi rreth 600 melodi, nëntë simfoni, muzikë liturgjike, operë, muzikë solo & pjesë të ndryshme për piano.
Pasioni i madh për muzikën, puna dhe talenti e bëjnë Schubertin artist poliedrik, që i dha shumë botës muzikore; kompozimet që krijoi dallohen për bukurinë dhe qartësinë e ndjenjave romantike, lirizmin dhe dashurinë si aureolë e jetës./E