Në një ngjarje të rëndësishme historike si 24-vjetori i masakrës në Burgun e Dubravës, në vizitë të kësaj Qendre Korrektuese ishte edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti.
Në fjalën e tij, kryeministri Albin Kurti, fillimisht ngriti lart figurat të Adem Demaçit, që vuajti 28 vite burgosje dhe Ukshin Hotit që kaloi nëpër burgje nga viti 1981 deri më 1999, kur dhe u zhduk po në burgun e Dubravës më 16 maj 1999, fare pak ditë para masakrës që sot po e përkujtojmë.
Para të pranishmëve, kryeministri shtoi se të burgosurit politikë shqiptarë në Jugosllavi, ishin një kategori më vete që nuk mund të injorohej dhe as të shmangej, gjë e cila u dëshmua në luftën e fundit, kur shteti i Serbisë i grumbulloi mbi 980 të burgosur politikë shqiptarë nga të gjitha burgjet, duke i grumbulluar në burgun e Dubravës, për t’i eliminuar.
“Ky plan dhe kjo “zgjidhje përfundimtare” e ideuar nga Serbia, e bëri burgun e Dubravës një lloj kampi përqendrimi politik, për të burgosurit politikë shqiptarë. Qëllimi ishte jo vetëm eliminimi i tyre politik, por edhe zhdukja e tyre fizike. Se çka ndodhi në burgun e Dubravës mes 19 majit dhe 24 majit të vitit 1999, më së miri e kanë rrëfyer dhe na e rrëfyen edhe sot dëshmitarët e atyre ngjarjeve, të burgosurit e mbijetuar të masakrës në burgun e Dubravës, që fatmirësisht janë shumë“, tha kryeministri.
Ndonëse të burgosurit e mbijetuar, sikurse Enver Dugolli, Nait Hasani, Ukë Thaçi, Asllan Selimi e të tjerë autorë, e kanë rrëfyer historinë e masakrës në burgun e Dubravës deri në detaje bashkë me emrat e atyre që kryen këtë krim lufte, kryeministri shtoi se ata ende nuk janë nxjerrë para drejtësisë, përkundër dëshmive dhe dëshmitarëve.
Tutje, ai vlerësoi se kjo vizitë përveç për ta kujtuar masakrën e kryer nga Serbia mbi të burgosurit shqiptarë këtu, është edhe për ta denoncuar këtë krim lufte të kryer nga shteti serb, ngase Republika e Kosovës është shteti ynë që po ngritët e po forcohet dhe i cili nuk harron dhe nuk fal asnjë krim të bërë gjatë luftës.
“Lavdi për të gjithë të burgosurit të vrarë në masakrën në burgun e Dubravës dhe secilës jetë të dhënë në rrugën tonë për lirinë e Kosovës!”, tha në fund kryeministri Kurti.
Në vizitën në Dubravë, bashkë me kryeministrin Kurti ishin edhe Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu si dhe Kryesuesi i Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Andin Hoti.
Fjala e plotë e Kryeministrit Albin Kurti:
Në çdo datë historike sikur sot kur përkujtohen ngjarje të rëndësishme nga e kaluara, përtej të dhënave faktografike, na shtrohet përpara edhe një problem jo i thjeshtë: si duhet lexuar gjithë këto histori masakrash, luftërash, burgosjesh, dëbimesh dhe betejash politike? Çfarë e ushqen dhe e kultivon vetëdijen kolektive të një kombi, që për vite e vite ndër shekuj, përpiqet pa pushim ta arrijë lirinë?! Apo e artikuluar edhe pak më ndryshe: si mund të përkufizohet ndërgjegjja historike e popullit shqiptar?
Një nga mënyrat për ta kuptuar historinë politike të shqiptarëve gjatë periudhës së Jugosllavisë, është duke gjurmuar për fatin e gjeneratave dhe grupeve të të burgosurve politikë si dhe duke lexuar për burgosjet e tyre sipas rendit kronologjik. Gjatë kësaj periudhe të gjatë mbi gjysmë shekulli, pas Luftës së Dytë Botërore, kur shqiptarët në Jugosllavi ishin komuniteti etnik më i shtypur dhe më i diskriminuar politikisht në Evropë, të burgosurit politikë dhanë dy ideologë të mëdhenj politikë, një në fillim dhe një në fund të asaj Jugosllavie. Besoj se e merrni me mend për kë e kam fjalën. Për Adem Demaçin që vuajti 28 vite burgosje nga fundi i viteve ’50-të deri më 1990 dhe për Ukshin Hotin që kaloi nëpër burgje nga viti 1981 deri më 1999, kur dhe u zhduk po në burgun e Dubravës këtu më 16 maj 1999, fare pak ditë para masakrës që po e përkujtojmë sot dhe vetëm një ditë para se të përfundonte burgosja e tij më 17 maj e dënimet e tretë me 5 vjet burg.
Fati i tyre personal është gdhendur aq fort nga fati politik i shqiptarëve të asaj kohe, sa që autobiografitë dhe biografitë e tyre, mund të lexohen edhe si vetë historia politike e shqiptarëve në Jugosllavi. Veprat “Libri i vet-mohimit” dhe “Dashuria kuantike e filanit” të shkruara nga Adem Demaçi, apo “Filozofia politike e çështjes shqiptare” dhe “Bisedë përmes hekurash” të Ukshin Hotit, janë dy burime referenciale themelore për të kuptuar jetën e shqiptarëve nën regjimet shtypëse diktatoriale dhe fashiste të Jugosllavisë në përgjithësi dhe të Serbisë veçanërisht.
Të burgosurit politikë shqiptarë në Jugosllavi, që përgjithësisht përfaqësonin aktivizmin e kulluar politik kombëtar të kohës, ishin si një kategori më vete, që nuk mund të injorohej dhe as të shmangej. Sepse ishte vetë fryma dhe puna e tyre e trashëguar dhe e përcjellur nga një grup te tjetri, nga njëra organizatë ilegale te tjetra, ajo që prodhoi organizimin politik dhe ushtarak që e solli çlirimin e Kosovës. Andaj edhe në luftën e fundit, shteti i Serbisë i grumbulloi mbi 980 të burgosur politikë shqiptarë nga të gjitha burgjet, duke i sjellur në burgun e Dubravës, për t’i eliminuar.
Ky plan dhe kjo “zgjidhje përfundimtare” e ideuar nga Serbia, e bëri burgun e Dubravës një lloj kampi përqendrimi politik, për të burgosurit politikë shqiptarë. Qëllimi ishte jo vetëm eliminimi i tyre politik, por edhe zhdukja e tyre fizike. Se çka ndodhi në burgun e Dubravës mes 19 majit dhe 24 majit të vitit 1999, më së miri e kanë rrëfyer dhe na e rrëfejnë edhe sot dëshmitarët e atyre ngjarjeve, të burgosurit e mbijetuar të masakrës në burgun e Dubravës, që fatmirësisht janë shumë.
Si u organizua vrasja masive dhe masakrimi i të burgosurve shqiptarë nga autoritetet e burgut të Dubravës, nga policia e Serbisë si dhe nga të burgosurit ordinerë të mobilizuar prej tyre? Të burgosurit e mbijetuar e kanë rrëfyer historinë e masakrës në burgun e Dubravës nganjëherë deri në detaje ditë pas dite e orë pas ore, bashkë me emrat e atyre që kryen këtë krim lufte, për të cilin ende nuk janë nxjerrur para drejtësisë, përkundër dëshmive dhe dëshmitarëve. E ka rrëfyer Enver Dugolli te libri i tij “Qark i (pa)mbyllur burgjesh”, Nait Hasani te vepra “Ende jam gjallë”, siç e kanë rrëfyer edhe dhjetëra të mbijetuar të tjerë për Ukë Thaçin te libri i tij për skenarët e masakrës në burgun e Dubravës, ashtu sikur së fundi edhe Asllan Selimi te libri i sapobotuar “Tmerri ka emër”.
Ndërsa, vetë unë, i kam dëgjuar këto ngjarje mizore qysh atëherë, pak kohë pas masakrës së burgut të Dubravës, nga po këta të mbijetuar të saj, me të cilët pastaj ishim shokë burgu në Nish, Pozharec e Çupri. I kam dëgjuar të rrëfyera nga Nait Hasani, nga Liburn Aliu, nga Bislim Zogaj nga Enver Dugolli, dhe shumë e shumë të tjerë. Sigurisht, pa qenë i sigurt që 24 më pas, do të shkojmë bashkë në burgun e Dubravës kështu siç erdhëm sot, pikërisht për ta kujtuar masakrën e kryer nga Serbia mbi të burgosurit shqiptarë dhe për ta denoncuar këtë krim lufte të kryer nga shteti serb. Për më tepër që e tëra kjo, po ndodhë në rrethana krejt të tjera: me Kosovën Republikë, me shtetin tonë që po ngritet e po forcohet dhe i cili nuk harron dhe nuk falë asnjë krim të kryer gjatë luftës. Ardhja jonë sot këtu, është një vëmendje e obliguar dhe një kujdes i domosdoshëm për trashëgiminë e luftës së viteve 1997 – 1999 në Kosovë, për drejtësinë dhe para historisë.
Lavdi të gjithë të burgosurve të vrarë në masakrën në burgun e Dubravës dhe secilës jetë të dhënë në rrugën tonë të përbashkët për lirinë e Kosovës! /FolDrejt/