224 raste me virusin COVID-19 janë shënuar deri më tani në territorin e Kosovës. Komuna e dytë e cila ka më së shumti raste është Prishtina, me 25 persona të prekur me koronavirus. Megjithatë, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës ende nuk ka dhënë rekomandimin që Prishtina të izolohet. Drejtori i Shëndetësisë në këtë komunë, Bujar Gashi, ka thënë për Express se është sfidë që të izolohet kryeqyteti
25 banorë të kryeqytetit janë konfirmuar të prekur me virusin COVID-19. 2 raste u shënuan mbrëmjen e së mërkurës, kur Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës njoftoi se 14 persona kanë rezultuar pozitiv në testimet për koronavirus.
Drejtori i Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi, ka thënë për Express se edhe pas konfirmimit të 25 rasteve me koronavirus në kryeqytet, IKSHPK-ja nuk ka rekomanduar izolimin e Prishtinës.
“Nuk kemi lagje të izoluar, por jemi në kontakt të vazhdueshëm me IKSHPK-në dhe Ministrinë e Shëndetësisë. Nuk po e shohin të arsyeshëm izolimin pasi gjendja është nën kontroll. Po ashtu duhet pasur parasysh se Prishtina është kryeqytet dhe këtu funksionojnë të gjitha institucionet, po ashtu kemi edhe akterë ndërkombëtarë të cilët qëndrojnë në Prishtinë. Për momentin gjendja është stabile, por nëse eskalon normalisht se do të ndërmarrim masat e duhura”, ka thënë GashI.
Gashi ka thënë se ka rekomandur që në rast nevoje, mund të izolohen komplekse të banesave ku banojnë persona të prekur me koronavirus.
“Ideja ime është që të ketë karantinime të vogla, të komplekse ose të banesave e jo e tërë lagja sepse është problem, pasi e dimë se një lagje e Prishtinës mund të jetë e madhe sa një qytet i Kosovës, këto kanë qenë rekomandimet tona”, ka thënë Gashi.
I pari i shëndetësisë në Prishtinë ka thënë se IKSHPK-ja po i gjurmon kontaktet që mund të kenë pasur personat e prekur me koronavirus, në mënyrë që t’u bëhen testimet të gjithë atyre që kanë pasur kontakt me ta.
“IKSHPK-ja po i evidenton kontaktet, në momentin kur ka një rast pozitiv, ata i mbledhin të gjitha olsitat dhe gjurmojnë kontaktet që mund të kenë pasur me persona të tjerë”, ka deklaruar Gashi.
Ndërkohë Gashi ka treguar se të mërkurën janë marrë mostrat e 13 punëtorëve shëndetësorë të qendrës së mjekësisë emergjente në Prishtinë, rezultatet e të cilëve në testimin e parë kanë dalë negative.
“Dje me rekomandim tonin janë marrë 13 mostrat e qendrës së mjekësisë emergjente kanë rezultuar negativë, po i presin rezultatet e dyta dhe po qëndrojnë të izoluar”, ka thënë Gashi.
Ai ka apeluar tek qytetarët që t’i dëgjojnë këshillat e IKSHPK-së që të qëndrojnë në shtëpi, për të parandaluar kështu përhapjen e koronavirusit.
E numri i personave të prekur me koronavirus në Kosovë tashmë ka shkuar në 224, derisa janë shëruar 37 persona.
6 prej këtyre 224 personave të prekur me koronavirus, kanë ndërruar jetë.
Komuna me më së shumti persona të prekur është Malisheva. Atje janë konfirmuar 64 raste, derisa Prishtina është e dyta me numrin e të prekurve me 25 persona.
Rastet e konfirmuara pozitive, sipas komunave:
Gjashtëdhjetë e gjashtë (66) raste nga komuna e Malishevës, njëzet e pesë (25) raste nga Prishtina, njëzet e një (21) raste nga komuna e Vushtrrisë, njëzet (20) raste nga Mitrovica e Veriut, tetëmbëdhjetë (18) raste nga Gjilani, trembëdhjetë (13) raste nga Kamenica, dhjetë (10) raste nga Gjakova, dhjetë (10) raste nga Zveçani, shtatë (7) raste nga komuna e Vitisë, gjashtë (6) nga komuna e Pejës, katër (4) raste nga Podujeva, tre (3) raste nga Klina, tre (3) raste nga Fushë Kosova, tre (3) raste nga Prizreni, tre (3) raste nga Leposaviqi, tre (3) raste nga Suhareka, dy (2) raste nga Ferizaji, dy (2) raste nga Zubin Potoku, dy (2) raste nga Lipjani dhe me nga një (1) rast komuna e Drenasit, Obiliqit dhe Shtimes.