I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se Ballkani Perëndimor është mundësi e jashtëzakonshme për Bashkimin Evropian dhe jo rrezik.
Pas takimit që zhvilloi sot në Prishtinë me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, Escobar ka theksuar se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do ta afrojë më shumë Kosovën drejt Bashkimit Evropian dhe komunitetit trans-atlantik.
“Për Kosovën dhe rajonin, ne e shohim këtë zonë si një mundësi të jashtëzakonshme me energji të jashtëzakonshme. Ju jeni evropianë, ekonomikisht, historikisht dhe kulturalisht jeni evropianë dhe ne kemi punuar me kolegët tanë evropianë për t’u siguruar se ata e njohin që Ballkani Perëndimor është një mundësi e jashtëzakonshme për ta dhe jo rrezik. Në këtë kuptim, ne inkurajojmë të gjitha palët që ta shohin Ballkanin Perëndimor si anëtarë potencialë të BE-së në të ardhmen, që të gjitha ata në paqe me njëri-tjetrin, që të gjithë produktivë dhe anëtarë të aftë, ashtu siç i kemi parë ne si partnerë bilateralë. Shpresa kryesore për këtë është përmes dialogut”, ka thënë ai.
Gabriel Escobar ka rikonfirmuar mbështetjen e SHBA-së për Kosovën.
“SHBA fuqimisht mbështesin pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës. E keni treguar se jeni partner solid, mik i mirë dhe ju falënderojmë për këtë”, ka deklaruar Escobar.