Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka deklaruar se Kosova ka kërkuar që Qeveria e Serbisë t’i kërkojë drejtpërdrejtë Qeverisë së Kosovës që të lejojë mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare më 3 prill, gjegjësisht “që Serbia ta pranojë Kosovën”.
Vuçiq ka thënë se Serbia nuk ka pranuar të bëjë diçka të tillë.
“I kam lutur që të kenë durim dhe të numërojmë deri në dhjetë”, theksoi Vuçiq.
Serbët e Kosovës, siç tha Vuçiq, kanë kërkuar që menjëherë të largohen nga të gjitha institucionet dhe që “435 policë t’i lënë armët dhe të braktisin policinë”.
Vuçiq theksoi se edhe “njerëzit nga jugu” u pajtuan me këtë “për herë të parë”, të udhëhequr nga zëvendëskryetari i Listës Serbe, njëherësh kreu i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq.
“Unë i pyeta, e bëjmë sot, por çfarë një ditë pas? Ne do të marrim barrën financiare, por të nesërmen kam frikë se mund të hyjmë në rrethin vicioz të konflikteve të luftës”, tha Vuçiq.
Ai shtoi se u ka kërkuar përfaqësuesve serbë të Kosovës që bisedimet të vazhdojnë më 8-9 prill.
Vuçiq i bëri këto komente pas takimit më 22 mars me përfaqësuesit politikë të serbëve të Kosovës. Takimi pasoi njoftimin e BE-së se autoritetet në Kosovë e kanë refuzuar kërkesën e Quint-it për mbajtjen e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Serbisë të 3 prillit.
Ndërkaq, nënkryetari i Listës Serbe, njëherësh kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, tha gjatë konferencës të përbashkët me Vuçiqin, se vendimi i autoriteteve të Kosovës është mohim i të drejtave të njeriut.
Ai tha se serbët do të protestojnë në jug dhe veri të Ibrit të premten lidhur me moslejimin e mbajtjes së zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.