Volodymyr Zelensky mbajti një fjalim të martën për të shënuar tre-mujorin e pushtimit të Ukrainës dhe tha se aftësia e vendit për t’i rezistuar Rusisë ka qenë një surprizë dhe një burim frymëzimi për pjesën tjetër të botës, shkruan The Guardian.
“Duhet të kujtojmë gjithmonë se këta tre muaj i kemi mbijetuar falë dhjetëra e mijëra atyre që kanë mbrojtur shtetin. Dhe me koston e dhjetëra mijëra jetëve të burrave dhe grave ukrainase të vrarë nga pushtuesit.
I përjetshëm kujtimi për të gjithë ata që dhanë jetën për Ukrainën”, tha Zelensky.
Zelensky më pas u tall me pretendimin e ministrit rus të mbrojtjes Sergei Shoigu se Rusia po e ngadalësonte qëllimisht ofensivën e saj në Ukrainë për t’u dhënë kohë civilëve për t’u evakuuar.
Më pas ai foli për përkeqësimin e situatës në rajonin e Donbasit dhe u bëri thirrje qeverive të huaja që të vazhdojnë të ofrojnë mbështetje ushtarake në formën e armëve dhe pajisjeve, duke thënë se ky ishte “investimi më i mirë në ruajtjen e stabilitetit në botë”./abcnews.al