Gjykata Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarve Rrahman dhe Bekim Fazliu, duke i dënuar me 3 vite burgim dhe 20 mijë euro gjobë (së bashku), për pastrim të parave të fituara nga kontrabanda me mallra nga Kina.
Aktgjykimi ndaj dy të akuzuarve Fazliu, u shpall të hënën, nga kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Kujtim Krasniqi, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Sipas aktgjykimit, të akuzuarin Rrahman Fazliu, për veprën penale “Shpëlarja e parave”, gjykata e dënon me 1 vit e 6 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë.
Po ashtu, i akuzuari Bekim Fazliu, për veprën penale “Shpëlarja e parave”, u dënua me 1 vit e 6 muaj burgim dhe 10 mijë euro gjobë.
Të akuzuarit, obligohen që të paguajnë të gjitha shpenzimet e procedurës penale, ashtu që në emër të paushallit gjyqësor të paguajnë nga 100 euro, si dhe nga 300 euro për ekspertizë financiare.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditëve në Gjykatën e Apelit.
Në këtë rast, i akuzuar për shmangie nga tatimi dhe keqpërdorim i autorizimeve ekonomike ka qenë edhe S.P, mirëpo ka arritur parashkrimi absolut i ndjekjes për këto vepra penale.
Ky rast kishte kaluar nga Departamenti për Krime të Rënda në atë Special.
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës më 12 maj 2011, ka ngritur aktakuzë ndaj S.P dhe Rrahman dhe Bekim Fazliut, të cilët i ngarkonte me vepra penale të shpëlarjes së parave, kontrabandimit me mallra, shmangie nga tatimi dhe keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi.
Rrahman dhe Bekim Fazliu akuzoheshin se nga 1 korrik 2002 e deri më 15 dhjetor 2010, kanë bërë pastrimin e parave të fituara më kryerjen e veprave penale kontrabandimi i mallrave, shmangia nga tatimi dhe keqpërdorimi i autorizimeve në ekonomi, në atë mënyrë që pa pasur autorizim apo leje kanë bërë tregti brenda dhe jashtë territorit të Kosovës, duke blere mallra nga Kina dhe atë dërrasa fijesh nga druri dhe automjete të përdorura në vlerë prej 1.465.400,00 euro.
Sipas aktakuzës, të njëjtit me qëllim të shmangies nga tatimi nuk kanë dhënë fare informata lidhur më të ardhurat apo faktet relevante për vlerësimin e detyrimeve të tyre tatimore dhe kështu i pandehuri Rrahman Fazliu, si pronar dhe person përgjegjës i firmës N.T.P. LONI, duke mos paguar tatimin në shumë prej 582.459,89 (duke përfshirë edhe ndëshkimet) dhe i pandehuri Bekim Fazliu si pronar dhe person përgjegjës i firmës N.T.P. “BEKA”, duke mos paguar tatimin në shumë prej 158.068,73 euro (duke përfshirë edhe ndëshkimet), gjatë ushtrimit të veprimtarisë së tyre ekonomike më qëllim të realizimit të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për firmat e tyre, kanë përfituar secili veç e veç dobi pasurore ne vlerë prej me tepër se 100.000,00 euro.
Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit Bekim dhe Rrahman Fazliu, duke krijuar fonde të palejuara dhe duke mos i paguar mjetet nga detyrimet tatimore dhe detyrimet tjera fiskale të përcaktuara me ligj si dhe pastaj duke e ditur se kjo dobi pasurore buron nga aktiviteti i tyre kriminal me qëllim të fshehjes apo maskimit të kësaj dobie pasurore dhe shmangies së detyrimit të raportimit sipas ligjit për parandalimin e shpëlarjes së parave dhe financimit të terrorizmit kanë kryer transfere të dyshimta, duke përfshirë edhe transferet në Kinë, dhe atë i pandehuri Rrahman Fazlu shumën e gjithmbarshme të transfereve prej 2.133.8(08,93 euro, ndërsa i pandehuri Bekim Fazliu shumën e gjithmbarshme të transfereve prej 611.641,45 euro dhe me ketë kanë dëmtuar buxhetin e Kosovës duke mos paguar tatimin në shumë të gjithmbarshme prej 740.528,62 euro.
Ndërsa për të akuzuarin S.P, në aktakuzë thuhet se ka kryer veprat penale shmangia nga tatimi dhe keqpërdorim i autorizimeve në ekonomi.
Sipas aktakuzës, S.P nga 1 janar 2008 deri më 31 tetor 2010, me qëllim që t’i shmanget pagesës së tatimit dhe me qëllim të realizimit të përfitimit të dobisë pasurore të kundërligjshme për organizatën e biznesit “SHPK LINDA”, pronar i të cilës është, ka ofruar të dhëna të pavërteta për të ardhurat e veta që kanë ndikuar në vlerësimin e detyrimeve të tij tatimore.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i njëjti duke mos i paguar mjetet nga detyrimet tatimore ka dëmtuar buxhetin e Kosovës për shumën prej 10.639.07 euro, për tatimin e papaguar dhe ndëshkimet në shumë prej 8.512,93 euro, gjithsej 19.152,00 euro. /BetimipërDrejtësi/
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.