Sharl-Pier Bodler, poeti, kritiku i artit, eseisti, përkthyesi, etj. ushqehej me romantizmin, i orientuar drejt klasicizmit. Në udhëkryqin e lëvizjes parnasiane dhe simbolizmit, ai qe zëri i modernitetit dhe zuri një vend të rëndësishëm midis poetëve francezë./Konica.al
Zhanë Dyval (Jeanne Duval), kërcimtare dhe aktore franceze me origjinë nga Haiti, u takua me Bodlerin në vitin 1842, një histori dashurie e stuhishme dhe e trazuar që shënoi 20 vitet e ardhshme të jetës dhe poezitë e poetit të mallkuar. “Zonja midis dashnoreve” ose “Afërdita e zezë” frymëzoi shumë nga poezitë e tij, si “Ballkoni”, Parfumi ekzotik”, “Gjarpri që vallëzon”. Zhanë ishte Afërdita e zezë e Bodlerit, me një bukuri të rrezikshme dhe plot mistere.
“Më lër të thith gjatë kundërmimin e flokëve të tu, përsëri e përsëri, më lër ta zhyt fytyrën brenda tyre, sikur i eturi në ujin e burimit dhe t’i valëvis me dorë si një shami e parfumosur për të ajrosur kujtimet. Sikur të dije çfarë shoh unë në atë floknajë, sikur ta dije se çfarë ndiej unë në to, sikur ta dije se çfarë dua të them ndër flokët e tu! Shpirti im udhëton pas erëmimit tënd, ashtu si shpirti i të tjerëve udhëton pas melodisë./Konica.al/ Flokët e tu mbajnë brenda një ëndërr të tërë, mbushur vela dhe direkë; dete të paana, musonet e të cilëve më shpien drejt vendeve me klimë magjepsëse, ku fushëpamja është më e kaltëruar dhe më e thellë, kur atmosfera përhap aromën e frutave, gjetheve dhe lëkurës së njeriut.
Në oqeanin e floknajës tënde, shoh një liman gumëzhitës me këngë melankolike, me burra të fuqishëm ardhur nga kombësi të ndryshme, anije të të gjitha formave, arkitekturat e ndërlikuara dhe delikate të të cilave spikasin në qiellin e paanë, të pushtuar nga një zheg përvëlues. Në ledhatimet e flokëve të tu, unë rigjej kapitjen e orëve të gjata kaluar në një divan, në kabinën e një anijeje të bukur, përkundur nga rrotulla e padukshme e portit, mes vazove me lule dhe terrina flladitëse.
Në prushin përvëlues të flokëve të tu, thith aromë duhani përzier me atë të opiumit e sheqerit; në bunacën e flokëve të tu, sodis pafundësinë e vezullimit blu tropikal; në brigjet e gëzofta të flokëve të tu, dehem prej aromës së katranit përzier me myshkun dhe vajin e kokosit. Lërmë t’i nduk gjatë ato gërsheta të rëndë e të zinj. Kur marr cimbisje të lehtë nga flokët e tu të butë e kryeneçë, ndihem sikur po kapërdij kujtime”.