Të paktën 34 njerëz humbën jetën dhe më shumë se 300 u plagosën në një zjarr shkatërrues në një depo kontejnerësh në qytetin port jugor të Bangladeshit, Chattogram.
“Kemi një rekord prej 34 vdekjesh deri më tani dhe mbi 300 të lënduar. Prej tyre, gjendja e disave është shumë kritike”, tha për AA Gjeneral Brigade Md. Shamim Ahsan, drejtor i Spitalit të Kolegjit Mjekësor në Chattogram, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Mes të vdekurve, thuhet se shtatë janë pjesëtarë të njësive të zjarrfikësve, të cilët kanë shkuar në vendngjarje dhe kanë marrë pjesë në operacionet e shpëtimit.
Dhjetëra zjarrfikës dhe policë u plagosën gjithashtu gjatë operacioneve të shpëtimit.
Agjencia shtetërore e lajmeve Bangladesh Sangbad Sangstha dhe media të tjera lokale kanë raportuar për 33 të vdekur dhe 400 të plagosur.
Zjarri ka shpërthyer rreth orës 23:00 me orën lokale (1700 GMT) të shtunën në zonën Sitakunda të qytetit.
Dëshmitarët okularë dhe punonjësit e shpëtimit thanë se zjarri shpërtheu në një kontejner dhe u përhap me shpejtësi në të tjerët, duke shkaktuar që disa të shpërthejnë në depon që përmban më shumë se 1.000 kontejnerë.
Shumë zyrtarë të lartë, përfshirë kryetarin e bashkisë së qytetit, kanë vizituar vendin dhe janë zotuar të zbulojnë se çfarë e shkaktoi zjarrin.
Autoritetet thanë, megjithatë, se zjarri vdekjeprurës ka shkaktuar humbje të mëdha ekonomike pasi shkatërroi shumë kontejnerë të ngarkuar me kimikate dhe materiale të tjera në sektorin kryesor eksportues të industrisë së veshjeve të gatshme të Bangladeshit.
Kryeministrja Sheikh Hasina ka shprehur ngushëllimet e saj për ngjarjen tragjike dhe ka garantuar dëmshpërblim për familjet e të vdekurve. Ajo kërkoi nga të gjitha autoritetet përkatëse që të lënduarve t’u ofrojnë trajtimin e duhur me prioritet maksimal./FolDrejt/