Zyra Federale e Statistikave në qytetin jugperëndimor gjerman Wiesbaden ka bërë të ditur se pothuajse 38 për qind e studentëve në Gjermani vitin e kaluar ishin në rrezik të varfërisë.
Rreziku i varfërisë ishte edhe më i lartë tek studentët që jetonin vetëm ose ekskluzivisht me kolegët e tyre, respektivisht tek 76,1 për qind e tyre, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Bazuar në statistikat e zyrës Wiesbaden, studentët duhej të kërkojnë thellë në xhepat e tyre kur bëhej fjalë për kostot e strehimit. Përqindja mesatare e kostove të strehimit në të ardhurat e disponueshme të familjes për studentët ishte 31,6 për qind dhe kështu dukshëm më e lartë se kostot e strehimit për të gjithë popullsinë, shifër e cila është 23,3 për qind.
Problemet financiare të studentëve reflektohen edhe në faktin se 38,5 për qind e tyre jetonin në familje gjatë vitit të kaluar, pra edhe para krizës energjetike, të cilët nuk ishin në gjendje të përballonin shpenzime të mëdha të papritura nga burimet e tyre financiare.
Në muajin shtator, qeveria gjermane prezantoi një paketë të tretë lehtësimi për të kompensuar çmimet në rritje të shpejtë, e cila po ashtu përfshinte një pagesë për studentët.
Ndërkohë, vitin e kaluar 15,8 për qind e popullsisë në Gjermani ishin në prag të varfërisë.
Edhe pse Gjermania është një nga vendet më të pasura në botë, shenjat e varfërisë në rritje po bëhen gjithnjë e më dukshme në të gjithë vendin. Gjithnjë e më shumë njerëz të pastrehë mund të shihen duke fjetur në rrugë, nëna që heqin dorë nga ushqimet në përpjekje për të ushqyer fëmijët e tyre dhe pensionistë që kërkojnë shishe të hedhura për t’i shitur ato.
Një person në Gjermani konsiderohet se është në rrezik të varfërisë nëse ka më pas se 60 për qind të të ardhurave mesatare të të gjithë popullsisë. Vitin e kaluar, ky prag për njerëzit që jetojnë vetëm në Gjermani ishte 15.009 euro neto në vit apo 1.251 euro në muaj./FolDrejt/