Drejtoresha e Mbrojtjes Ndërkombëtare e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët (UNHCR), Elizabeth Tan njoftoi se rreth 4.7 milionë njerëz në Burkina Faso kanë nevojë për ndihmë humanitare, shkruan Anadolu, transmeton Fol Drejt.
Tan komentoi zhvillimet në Burkina Faso në konferencën javore për media në Zyrën e OKB-së në Gjenevë.
Duke kujtuar se UNHCR-ja ka publikuar një udhëzues të përditësuar për mbrojtjen e njerëzve që kanë ikur nga Burkina Faso, Tan u bëri thirrje të gjitha vendeve që të shmangin kthimin me forcë të njerëzve nga zonat e krizës.
Ajo tha se situata e sigurisë në Burkina Faso vazhdon të përkeqësohet dhe se janë të shqetësuar për shkeljet e të drejtave të njeriut me të cilat përballen civilët.
Sipas saj, fëmijët i nënshtrohen rekrutimit të detyruar nga grupet e armatosura, duke punuar në kushte të këqija dhe lloje të tjera të dhunës. Tan theksoi se rreth 6.334 shkolla në vend janë mbyllur dhe shumica e fëmijëve të zhvendosur nuk mund të shkojnë në shkollë.
– “Më shumë se 67 mijë njerëz u strehuan në vendet fqinje”
“Përafërsisht 4.7 milionë njerëz në Burkina Faso kanë nevojë për ndihmë humanitare. Ky numër korrespondon me mbi 20 për qind të popullsisë së vendit”, tha Tan.
Ajo potencoi se dhuna dhe konfliktet shkatërrojnë infrastrukturat kritike në vend ndërsa kjo situatë ndikon edhe në shërbimin e institucioneve shtetërore.
“Që nga qershori 2023, më shumë se 67 mijë njerëz nga Burkina Faso kërkuan strehim në vendet fqinje si Mali, Nigeri, Bregu i Fildishtë, Benini dhe Gana ndërsa më shumë se 2 milionë njerëz u zhvendosën brenda vendit”, tha Tan.