Katër pjesëtarë të ushtrisë së Australisë janë zhdukur në brigjet verilindore të vendit pasi një helikopter ushtarak u rrëzua në oqean, njoftuan autoritetet, shkruan Anadolu, transmeton Fol Drejt.
“Ministria e Mbrojtjes mund të konfirmojë se një helikopter i Ushtrisë Australiane ‘MRH-90 Taipan’ ka goditur ujërat pranë ishullit Lindeman, në brigjet e Queenslandit”, tha Ministria në një deklaratë.
Helikopteri po merrte pjesë në aktivitete stërvitore gjatë natës si pjesë e stërvitjes “Talisman Sabre 2023” me SHBA-në kur u raportua i zhdukur natën e së premtes vonë, thuhet më tej.
“Katër pjesëtarë të ekuipazhit ishin në bordin e mjetit ajror në momentin e incidentit dhe aktualisht janë të zhdukur”, tha Ministria, duke shtuar se kërkimet për të zhdukurit janë duke vazhduar.
Stërvitja “Talisman Sabre 2023”, ushtrimi më i madh ushtarak i Australisë me SHBA-në, që përfshin rreth 30.000 ushtarakë nga 13 vende, filloi më 22 korrik dhe do të vazhdojë deri më 4 gusht.
Kryeministri Anthony Albanese dhe ministri i Mbrojtjes Richard Marles thanë në një deklaratë të përbashkët se familjet e katër pjesëtarëve të ekuipazhit ajror të zhdukur janë njoftuar për incidentin.
“Mendimet tona të para janë me të dashurit e të zhdukurve”, thuhet në deklaratë.
“Të gjithë australianët i mbajnë në zemra dhe ne mbajmë shpresë ndërsa ekipet e kërkim-shpëtimit po kryejnë punën e tyre tani. Ne kemi besimin maksimal në profesionalizmin dhe aftësitë e tyre”, ka thënë kryeministri.