Shefi i policisë së Kievit tha e forcat ruse “gjuanin rregullisht mbi civilët”.
Dyzet viktimat e gjetura në varr masiv në Bucha në afërsi të Kievit, ishin civilë që “nuk rezistuan”, tha shefi i policisë së kryeqytetit të vendit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Policia po heton varrezat masive në Bucha, tha Andriy Nebytov, i cili shtoi se forcat ruse “gjuanin rregullisht mbi civilët”.
Disa civilë u vranë gjatë granatimeve të qytetit nga artileria ruse. Në mesin e të vrarëve ishin burra dhe gra civilë midis moshës 40 dhe 60 vjeç, tha ai.
Nebytov tha se disa nga trupat e gjetur në Bucha do të dërgohen për autopsi për të përcaktuar shkaqet e vdekjeve.
Ai vuri në dukje se tek viktimat u gjetën plagë plumbash në kokë dhe trup, si tregues që ata u vranë nga armë automatike ose pushkë snajperi.
Presidenti rus Vladimir Putin dhe Moska po përballen me kritika të ashpra nga komuniteti ndërkombëtar pasi Ukraina akuzoi forcat ruse për “gjenocid” dhe “krime lufte” në Bucha.
Rusia i ka hedhur poshtë akuzat, duke i quajtur si “sulm me lajme të rreme” dhe duke argumentuar se imazhet që kanë shkaktuar zemërim global janë inskenuar pasi forcat ruse u tërhoqën nga qyteti.
Të paktën 1.611 civilë janë vrarë dhe 2.227 janë plagosur që kur Rusia filloi një luftë kundër Ukrainës më 24 shkurt, sipas vlerësimeve të OKB-së, ndërsa shifra e vërtetë dyshohet të jetë shumë më e lartë.
Më shumë se 4,3 milionë ukrainas kanë ikur në vende të tjera, kurse miliona të tjerë janë zhvendosur brenda vendit, sipas agjencisë së OKB-së për refugjatët./FolDrejt/