Më shumë se 5 kilogramë heroinë janë sekuestruar sot nga forcat e Policisë Kufitare në Morinë, duke çuar në arrestimin e një shtetasi 42-vjeçar nga Presheva.
Forcat e rendit kishin marrë në rrugë operative informacionin se shtetasi në fjalë, me inicialet A.A po transportonte lëndën narkotike në mjetin e tij “Golf 6” në drejtim të Shqipërisë.
Gjatë kontrollit të ushtruar nga shërbimet e Policisë, në një çantë iu gjetën 5 kilogramë e 107 gramë lëndë e dyshuar narkotike heroinë, e cila u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me 4 aparate celulare.
Në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Kukës, vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin me prova ligjore të këtij rasti, identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar, njofton A2Cnn.