Maqedoni e Veriut/ Trupat e 45 viktimave që humbën jetën në aksidentin tragjik në Bullgari pritet të mbërrijnë sot, rreth orës 10:00 në Shkup, transmeton Fol Drejt.
Sipas një njoftimi zyrtar u bë e ditur se procesi i identifikimit të tyre ka përfunduar dhe këtë të premte do të nisen me avion drejt Shkupit.
Në procesin shumëditor dhe të vështirë të identifikimit, duke përdorur metodën e ADN- së, morën pjesë specialistë dhe profesorë të Mjekësisë Ligjore nga Bullgaria dhe Maqedonia e Veriut. Mes 45 të vdekurve janë 12 fëmijë.
Konkluzione përfundimtare nuk ka deri më sot, rreth asaj se pse zjarri në autobusin në lëvizje u shkaktua dhe u përhap aq shpejt sa shumica dërrmuese e pasagjerëve vdiqën tragjikisht.
Hetimet paraprake për rastin e licencave dhe funksionimit të agjencisë turistike “Besa Trans”, kompania që kishte në pronësi autobusin që u shkrumbua nga flakët, po i kryen Prokuroria e Shkupit, pasi është konstatuar se automjeti ishte nisur për jashtë vendit i pakompletuar me dokumente.
Gjithashtu u bë e ditur se dy shoferët e punësuar për të drejtuar autobusin nuk ishin punonjës të përhershëm të “Besa Trans” dhe njëri nuk kishte patentë shoferi për linja ndërkombëtare.
Më 23. 11. 2021, ditën kur ndodhi aksidenti në Struma, në jugperëndim të Bullgarisë, përkatësisht në afërsi të qytetit Pernik, ishin të pranishëm 52 pasagjerë. Autobusi ishte duke u kthyer nga Stambolli për në Shkup, ndërsa vetëm 7 prej pasagjerëve arritën t’i shpëtonin më të keqes./FolDrejt/