Policia e Kosovës gjatë ditës së djeshme ka arrestuar anëtarin e kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës në Gjakovë, njëherit kryesues i Bordit të Drejtorëve të Postës, Halit Isufin bashkë me vëllain e tij të cilët kishin lejuar grumbullin e njerëzve në restorantin e tyre në fshatin Shkugëz në Gjakovë.
Lajmi për “Sinjali” e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjakovës, Nusret Gjurkaj i cili tha se të dy vëllezërit me urdhër të prokurorit janë dërguar në ndalim policor për 48 orë.
“Po, mund t’ua konfirmoj që policia ka arrestuar dy personat në fjalë, pronarë të restorantit në fshatin Shkugëz të Gjykovës për shkak të shkeljes së masave. Me vendim të prokurorit ata janë dërguar në mbajtje për 48 orë. Ka qenë një grup i qytetarëve që janë mbledhur në restorant, ndaj tyre Inspektorati Komunal ka ndërmarrë masat e nevojshme ligjore”, tha Gjurkaj.