Zëdhënësi i UNICEF-it, tha se 500 mijë fëmijë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre brenda vetëm në 7 ditë.
Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF) ka njoftuar se në 7 ditë e para të luftës Rusi-Ukrainë, 500 mijë fëmijë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, shkruan AA.
Zëdhënësi i UNICEF-it, James Elder, në konferencën për media në zyrën e OKB-së në Gjenevë, tha se “Konflikti në rritje do të thotë se 500 mijë fëmijë u detyruan të largoheshin nga shtëpitë e tyre vetëm në 7 dite”.
Ai tërhoqi vëmendjen se zhvendosja e fëmijëve në këtë shkallë dhe ritëm është “një rast paprecedent”, duke theksuar se në rast të mos ndalimit të sulmeve më shumë fëmijë ukrainas do te detyrohen të braktisin vendin e tyre, transmeton Fol Drejt.
“Kemi frikë se do të vriten më shumë fëmijë”, tha Elder duke shtuar se përderisa lufta vazhdonte, dje mijëra fëmijë kaluan një natë të tmerrshme në strehimoret në ftohtin e acartë.
Jens Laerke, zëdhënësi i Zyrës së OKB-së për Koordinimin e Çështjeve Humanitare, nga ana tjetër, shprehu mirënjohjen që palët kanë arritur marrëveshje për krijimin e një korridori humanitar për evakuimin e civilëve.
Agjencia e OKB-së për Refugjatë (UNHCR) njofton se mbi 1 milion njerëz janë larguar nga Ukraina drejt vendeve fqinje./FolDrejt/