Besimtarët palestinezë u përplasën me policinë izraelite të premten vonë në kompleksin e xhamisë Al-Aqsa, një ndër vendet e shenjta më të rëndësishme për myslimanët dhe hebrenjtë, në një përshkallëzim të dhunës disa javore në Jeruzalem që ka bërë jehonë në të gjithë rajonin.
Shërbimi i urgjencës i Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze tha se 53 vetë u plagosën në përleshjet me policinë në Jeruzalem, nga të cilët 23 u shtruan në spital. U njoftua se shumica u plagosën në fytyrë dhe në sy nga plumbat e veshur me gomë dhe copëzat e shashkave. Izraeli tha se gjashtë oficerë policie u plagosën.
Më herët të premten, forcat izraelite qëlluan dhe vranë dy palestinezë dhe plagosën një të tretë pasi ata hapën zjarr në një bazë që i përkiste forcës paraushtarake të Policisë së Kufirit të Izraelit në Bregun Perëndimor të okupuar, më e fundit kjo në një seri konfrontimesh vdekjeprurëse gjatë javëve të fundit dhe që përkon me muajin e shenjtë mysliman të Ramazanit.
Tensionet janë rritur në javët e fundit në Jeruzalemin lindor, i cili pretendohet nga Izraeli dhe nga palestinezët. Në fillim të Ramazanit, Izraeli bllokoi një vend popullor ku palestinezët tradicionalisht shoqërohen në fund të agjërimit të tyre gjatë gjithë ditës. Masa shkaktoi dy javë përplasje përpara se Izraeli të tërhiqte kufizimet.