Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka dhënë detaje të mëtejshme rreth arsenalit të armëve të gjetura në Zveçan.
Gjatë konferencës për media, Hoxha tregoi se gjetja e armëve është bërë rreth orës 20:03 të datës 23 qershor, në një Audi A6 me targa të Bedetaogradit, transmeton Fol Drejt.
“Më 23 qershor në 20 e 03 minuta ka kryer kontroll në një veturë Audi A6 me targa të Bedetaogradit, ku është hasur një sasi e konsiderueshme e mjeteve shpërthyese, armëve luftarake dhe pajisjeve të tjera ushtarake, vetura ka qenë e parkuar ndërmjet ndërtesave të banimit kolektiv në rrugën Obiliqi, lagjja Kolonia, Zveçan, menjëherë janë marrë të gjitha masat e sigurisë së qytetarëve në atë zonë, pasi kjo sasi e madhe e armëve dhe mjeteve shpërthyese paraqet rrezik të jashtëzakonshëm nga mjetet shpërthyese. Policia ka marrë të gjitha veprimet operative për të zbuluar rrethanat dhe ka zbuluar që vetura ka qenë e parkuar aty për një kohë duke qenë rrezik permanent dhe me pasoja katastrofike për qytetarët që e kanë frekuentuar atë zonë”, është shprehur Hoxha.
Hoxha ka bërë me dije se në arsenalin e sekuestruar përfshihen mbi 5000 fishekë, zola, lansues, karikatorë e lloje tjera armësh, para së gjithash edhe substanca narkotike.
“Vetura është sekuestruar dhe gjësendet e gjetura në veturë janë si në vijim: 9 zola, 2 lansues, 2 osa, një predhë e minahedhësit, 21 granata dore, 20 predha të tromblonit, 2 mbushës të barutit, 10 armë të gjata automatike, një revole , 1 shurdhues i armëve, 51 karikatorë të armëve të gjata, 5 karikatorë të armëve të shkurtra 5756 fishekë të kalibri të ndryshëm, 18 molotovi e të tjera, si dhe sasi e narkotikëve”, ka thënë më tej Hoxha./FolDrejt/