Një stacion në hënë! Një mision drejt Afërditës! Një gjeneratë e re anijesh hapësinore! 60 vite pasi bashkimi Sovjetik bëri histori duke lëshuar Yuri Gagarin në hapësirë, më 12 prill 1961, Rusia vazhdon të ketë shumë ambicie jashtëtokësore, por aftësia e saj, për ti realizuar ato, duket tani më poshtë, në tokë…
Projekt pas projekti është paralajmëruar dhe më pas është shtyrë, ndërsa projektet e mëdha bien viktima të problemeve me financimin apo ngërçeve burokratike. Vëmendja e Kremlinit ndërkohë është e përqendruar tek disa sipërmarrje ushtarake më shumë se sa tek eksplorimi i hapësirës.
Një qëllim parësor është ai për të zëvendësuar kapsulën e moshuar tashmë Soyuz, një kalë pune që ka dërguar astronautë në hapësirë që nga vitet 1960 dhe vazhdon të përdoret për udhëtimet në stacionin hapësinor ndërkombëtar.
I prezantuar fillimisht në vitin 2009, projekti për zëvendësimin e Soyuz është shtyrë vazhdimisht në kohë, edhe emri i propozuar për kapsulën e re ka ndryshuar shumë herë, nga federata në Oryol e më pas janë propozuar një version më i vogël i quajtur Orlyonok. “RKK Energia”, kompania që ndërton Soyuzin, mori kontratën e zhvillimit të projektit. Duke qëndruar në muzeun e hapësirës që lartëson arritjet sovjetike në hapësirë, shefi i kompanisë, Alexander Kaleri, thotë se kapsula e re do të jetë më e madhe, më e fuqishme dhe më komode se Soyuz.
“Qëllimi është që të bëjmë testimin e parë pa pilot deri në 2023. Për momentin ne po fillojmë duke testuar modelet për kapsulën dhe ky është një proces relativisht i gjatë”, deklaroi Kaleri.