Njoftohet se 619 mijë njerëz humbën jetën për shkak të malaries në vitin 2021 në mbarë botën, ndërsa sëmundja preku 247 milionë njerëz.
Anadolu përpiloi të dhënat e Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për “25 Prillin, Ditën Botërore të Malaries”, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Malaria transmetohet te njerëzit nga pickimi i mushkonjave femra “Anopheles” që bartin parazitin. Sëmundja, simptomat e së cilës zakonisht shihen brenda 1 muaji, mund të transmetohet edhe nga nëna tek foshnja nëpërmjet gjakut, përdorimit të përbashkët të injektorëve ose gjilpërave ose gjatë lindjes nga nëna tek foshnja.
Ndërsa simptomat e para të malaries, në shumë vende të botës, janë të ngjashme, ajo fillon me dhimbje koke, dobësi, dhimbje barku, lodhje, dhimbje muskujsh dhe kyçesh.
Tema e këtij viti për Ditën Botërore të Malaries u përcaktua si “Koha për të zhdukur malarien: Investim, inovacion, zbatim”.
Sipas “Raportit Botëror të Malaries 2022” të publikuar nga OBSH-ja në dhjetor të vitit të kaluar, në botë në vitin 2021 u zbuluan 247 milionë raste malarie dhe 619 mijë njerëz vdiqën nga sëmundja.
Në vitin 2021, kur pothuajse gjysma e popullsisë së botës ishte në rrezik nga malaria, 95 për qind e rasteve (234 milionë) dhe 96 për qind e vdekjeve (593 mijë) janë regjistruar në Afrikë.
Fëmijët nën moshën 5 vjeç, grupi më i prekur nga malaria, përbënin rreth 80 për qind të të gjitha vdekjeve nga malaria në Afrikë gjatë periudhës në fjalë.
Rreth 2 për qind e rasteve të malaries në mbarë botën u zbuluan në Azinë Juglindore, 0,2 për qind në Amerikë, 2,5 për qind në Mesdheun Lindor dhe 0,6 për qind në vendet e Paqësorit Perëndimor.
Gjysma e rasteve janë nga 4 vende
Nigeria (27 për qind), Republika Demokratike e Kongos (12 për qind), Uganda (5 për qind) dhe Mozambiku (4 për qind) janë vendet ku pothuajse gjysma e rasteve totale të malaries u regjistruan në vitin 2021, ndërkaq, Nigeria (31 për qind), Republika Demokratike e Kongo (13 për qind), Nigeri (4 për qind) dhe Tanzania (4 për qind) janë 4 vendet ku janë regjistruar më shumë se gjysma e vdekjeve nga malaria.
Numri i vendeve që raportojnë raste të malaries në mbarë botën është në rënie. Ndërsa numri i vendeve me sëmundjen u regjistrua si 108 në vitin 2020, ai u ul në 84 në 2021.
Ndërkohë, numri i vendeve me më pak se 10 raste u rrit nga 4 në 2020 në 25 në 2021.
OBSH-ja ka dhënë një “certifikatë eliminimi” në vitin 2021 për El-Salvadorin dhe Kinën, të cilat kanë reduktuar rastet e malaries në zero.
Trajtimi dhe parandalimi i malaries
Mënyra më efektive për të parandaluar zhvillimin e një rasti të lehtë të malaries në sëmundje të rëndë dhe shkaktimin e vdekjes është diagnostikimi i shpejtë dhe përdorimi i ilaçeve për malarien (antimalariake) për trajtim.
Është gjithashtu shumë e rëndësishme që pacientët me malarie të marrin trajtimin e rekomanduar në institucionet shëndetësore.
OBSH-ja rekomandon vaksinën e malaries “RTS,S/AS01”, e cila u miratua në tetor 2021.
Rrjetat për mbrojtje nga mushkonjat preferohen si një nga metodat më të lira dhe më efektive të mbrojtjes personale për parandalimin e malaries, veçanërisht në Afrikë./FolDrejt/