Vazhdojnë përpjekjet për evakuimin e 87 shtetasve të tjerë turq dhe të afërmit e tyre në Mariupol.
Të paktën 65 shtetas turq dhe të afërmit e tyre janë evakuuar nga qyteti i rrethuar ukrainas i Mariupolit, njoftoi dje një zyrtar lokal, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Qytetarët turq dhe të afërmit e tyre u bllokuan në strehimore dhe shtëpi në qytet, si dhe në Xhaminë e Sulltan Sulejmanit të Madhërishëm në Mariupol”, tha për AA, Ismail Hacioglu, kreu i administratës së xhamisë.
Ai tha se autobusët e evakuimit që ishin paraparë të merrnin shtetasit turq nuk ishin në gjendje të hynin në Mariupol ndërsa sulmet ruse vazhduan të enjten.
“Ministria e Jashtme turke njoftoi Ministrinë e Jashtme ruse për evakuimin e shtetasve turq. Kjo është arsyeja pse zona ku ndodhet xhamia jonë nuk u bombardua”, tha ai.
“Ata që arritën deri te automjetet u larguan nga qyteti duke përdorur zonën ku ndodhet xhamia jonë. Deri më tani janë larguar 65 shtetas turq dhe të afërm të tyre”, tha Hacioglu.
Ai tha se njerëzit që largoheshin nga Mariupoli po shkonin në qytetin juglindor Zaporizhzhia.
“Po bëhen përpjekje për evakuimin e 87 shtetasve të tjerë turq dhe të afërmve të tyre nga Mariupol”, tha Hacioglu.
Lajmet për evakuimin e shtetasve turq erdhën disa orë pasi ministri i Mbrojtjes, Hulusi Akar tha se Turqia ishte në kontakt me Rusinë dhe Ukrainën për evakuimin e sigurt të shtetasve të saj nga Ukraina, veçanërisht Mariupoli.
Një ditë më parë, ministri i Jashtëm turk, Mevlüt Çavuşoğlu e ngriti këtë çështje në takimin e tij me homologun rus, Sergej Lavrov në Moskë.
Ai i tha Lavrovit se ndihma për shtetasit turq që të largohen nga qyteti ishte “prioritet” për Ankaranë./FolDrejt/