Instituti Ndërkombëtar i Shtypit (IPI), ka tërhequr vëmendjen se viti 2022 ka qenë një vit “shkatërrues” në aspektin e sigurisë së gazetarëve dhe njoftoi se këtë vit janë vrarë duke kryer profesionin e tyre 66 gazetarëve dhe punonjës të shtypit.
Në një deklaratë me shkrim nga IPI me qendër në kryeqytetin e Austrisë, Vjenë, janë ndarë të dhëna lidhur me punonjësit e shtypit që janë vrarë këtë vit për shkak të profesionit të tyre, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në vitin 2021, numri i gazetarëve ka qenë 45, tha deklarata, duke bërë të ditur se këtë vit numri i gazetarëve të vrarë ka shkuar në 66 me një rritje shqetësuese.
– Në luftën Rusi-Ukrainë janë vrarë 9 gazetarë
IPI ka ndarë informacionin se këtë vit në Meksikë janë vrarë 14 gazetarë, ndërsa 9 punonjës shtypi janë vrarë duke ndjekur luftën Rusi-Ukrainë, duke theksuar se humbjet e regjistruara në këto dy vende kanë qenë më të lartat.
Po ashtu, në deklaratë përmendet se vrasja e gazetares me përvojë e televizionit Al Jazeera, Shireen Abu Akleh, gjatë një operacioni që forcat izraelit kryen në maj 2022 në Bregun Perëndimor, është ngjarja më e frikshme e këtij viti.
“Mossigurimi i drejtësisë nga shtetet në sulmet kundrejt gazetarëve vazhdon të krijojë terren të frytshëm për dhunë ndaj shtypit. IPI u bën thirrje autoriteteve në gjithë botën që të sigurojnë mbrojtjen e gazetarëve dhe t’i japin fund mosndëshkueshmërisë së këtyre krimeve”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
IPI ka bërë raporte dhe punime lidhur me gazetarët e vrarë që nga viti 1997. Organizata thotë se dhuna kundrejt gazetarëve është një problem global dhe se mosndëshkimi i autorëve krijon terren për dhunën./FolDrejt/