Si shumica e vendeve të botës, edhe Kosova e Shqipëria kanë një ditë kushtuar mësuesit. Për shkak të kaluarës, gjuhës, historisë, por edhe kombësisë së përbashkët të dy vendet ditën e mësuesit e kanë të njëjtë: 7 marsin.
Përgatiti: Ardit Mehmetaj, FolDrejt
Kjo datë është vendosur si simbolikë e shkollës së parë shqipe, e cila njihet si Mësonjëtorja e Korçës. Kjo ishte shkolla e parë kombëtare e gjuhës shqipe në viset shqiptare në kohën e Perandorisë Osmane, e cila hap më 7 mars të vitit 1887 në Korçë në periudhën e fundme të perandorisë. Hapja e shkollës erdhi si rezultat i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare që synonte të mundësoheshin të drejtat kombëtare brenda Perandorisë Osmane. Mësonjëtorja përbënte një qendër për edukimin kulturor dhe patriotik, kishte rëndësi e një vlerë të veçantë duke qenë se shkrimi i shqipes nuk u lejua pas ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit
Historik i shkurtër i shkollës së parë shqipe
Në vitin 1885, Naim Frashëri si zyrtar në Ministrinë e Arsimit në Stamboll, me të vëllain, Sami Frashërin dhe shqiptarë të tjerë me ndikim të “Shoqërisë së të Shtypurit Shkronja Shqip” ia dolën të siguronin lejen nga Sulltan Abdulhamidi II për hapjen e një shkolle shqiptare për djem në Korçë. Mbështetja financiare iu mundësua edhe nga mërgata e Rumanisë, anëtarët e Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, ndërsa shqiptarët e Stambollit vendosën që drejtor i shkollës të ishte Pandeli Sotiri. Mjedisi ku shkolla u vendos ishte shtëpia e dhuruar nga Diamant Terpo. Si “Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip” ashtu edhe shoqëria “Drita” kishin rënë që më përpara për të mos antagonizuar parinë vendase të ndikuar nga kultura greke duke hapur shkolla shqipe. Patrikana e Stambollit refuzoi që të jepej gjuha shqipe në shkollat ekzistente greke të komunitetit ortodoks të Korçës. Sotiri u dërgua në Korçë dhe e çeli shkollën më 7 mars 1887. Tekstet e shkollës i mundësonin vëllezërit Naim e Sami Frashëri dhe shumë shqiptarë të tjerë. Përgjatë 1887-ës, Sotirit iu desh të linte Korçën dhe administrimi i shkollës i kaloi Petro Nini Luarasit dhe Thanas Sinës. Vitet e para në shkollë u regjistruan rreth 200 nxënës të besimit mysliman dhe të krishterë
Pandeli Sotiri e filloi mësimin fillimisht me 35 nxënës. Kjo shkollë kishte një klasë përgatitore si dhe katër klasa të rregullta. Lëndët mësimore ishin shkrimi, këndimi, gramatika e gjuhës shqipe, historia, gjeografia, aritmetika, dituria natyrore dhe edukimi fizik.
Edhe pse në kushte të vështira, kur mësimi i gjuhës shqipe për shkak të kushteve të ndodhura nën sundimin osman ishte rreptësisht i ndaluar, mësonjëtorja e Korçës qëndroi e hapur për 15 vjet; u mbyll në vitin 1902, për t`u riçelë në vitin 1908. U mbyll përsëri në vitin 1912 dhe u çel pas pesë vjetësh në 1917-ën. Përkrahës të saj ishin figura të njohura të Rilindjes shqiptare si: Naum Naçi, Thoma Avrami, Familja Qiriazi, etj.
Më 15 tetor 1891 Gjerasim Qiriazi së bashku me të motrën Sevasti Qiriazi hapën këtu edhe Mësonjëtoren e vajzave baza e së cilës ishte gjithashtu gjuha shqipe dhe kultura kombëtare.
Andaj, në shenjë nderimi, respekti dhe kujtimi për kontributin e Mësonjëtorës së Korçës dhe mësuesve të saj, 7 marsi është caktuar si ditë e mësuesit dhe shkollës shqipe. Ndërtesa ku u hap kjo shkollë sot është muzeum kombëtar i arsimit.
Cilësia e arsimit sot në Kosovë
Cilësia e arsimit sot në Kosovë lë shumë për të dëshiruar, kjo përveç në përvoja e praktika personale të secilit nga ne, por edhe në rezultatet e testit PISA-së.
Viti i parë në të cilin morën pjesë ishte viti 2016, kur Kosova ishte radhitur në vendin e 68-të, në mesin e 72 pjesëmarrëse në atë test. Ndërsa, rezultatet e testit të dytë janë publikuar më 2019, ku Kosova është renditur e 77-ta, në mesin e 79 vendeve pjesëmarrëse. Pra, duke u bazuar tek këto dy renditje, ne nuk jemi përmirësuar, përkundrazi kemi rënie të cilësisë së arsimit.
Vlen të theksohet se në vitin 2021 nuk është mbajtur testi për shkak të pandemisë Covid-19./FolDrejt/
.