Shtatë persona kanë humbur jetën pas rrëzimit të një helikopteri në shtetin verior të Himalajeve, Uttarakhand në Indi, njoftuan zyrtarët.
Sipas policisë lokale, helikopteri që transportonte pelegrinët u rrëzua në vendin e quajtur Garudchatti të shtetit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Abhinav Kumar, kryesekretar i posaçëm i kryeministrit të Uttarakhand, tha për AA se të shtatë personat në bord kanë humbur jetën në aksident, përfshirë pilotin.
Nandan Singh Rajwar, zyrtar i menaxhimit të fatkeqësive në qarkun Rudraprayag të shtetit, tha për AA se helikopteri u ngrit nga qyteti Kedarnath me shtatë persona në bord. Të gjithë trupat janë nxjerrë nga vendi i aksidentit, shtoi ai.
Qyteti Kedarnath në shtetin Uttarakhand është i famshëm për tempullin hindu që tërheq pelegrinët nga i gjithë vendi.
“Është urdhëruar një hetim i detajuar për këtë incident tragjik”, shkroi në Twitter kryeministri i shtetit, Pushkar Singh Dhami.
Ndërkohë, kryeministri indian, Narendra Modi, duke shprehur shqetësimin e tij rreth aksidentit tragjik shkroi në Twitter: “Në këto orë tragjike, mendimet e mia janë me familjet e viktimave”./FolDrejt/