Të shtunën, presidenti i Kinës Xi Jinping dhe homologu i tij shqiptar Ilir Meta i dërguan njëri-tjetrit mesazhe urimi, me rastin e 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis Kinës dhe Shqipërisë.
Në mesazhin e tij, Xi vuri në dukje se gjatë 70 vjetëve, pavarësisht nga ndryshimet e situatës ndërkombëtare, miqësia tradicionale ndërmjet Kinës dhe Shqipërisë ka qenë gjithnjë e më e fortë. Vitet e fundit, marrëdhëniet midis dy vendeve kanë pasur përparime të mëdha, besimi i ndërsjellë politik është konsoliduar, shkëmbimet dhe bashkëpunimi në fusha të ndryshme kanë pasur rezultate frytdhënëse dhe miqësia kino-shqiptare është thelluar më shumë në zemrat e të dy popujve. Në kushtet e reja, bashkëpunimi kino-shqiptar ndodhet përpara rasteve të reja dhe ka perspektivë të gjerë.
“Unë i kushtoj rëndësi të madhe zhvillimit të marrëdhënieve kino-shqiptare dhe jam i gatshëm të përpiqem bashkë me presidentin Meta që, me rastin e 70-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis dy vendeve, të nxitim zbatimin e përbashkët nga Kina e Shqipëria të nismës ‘Një brez, një rrugë’ dhe t’i çojmë marrëdhëniet dypalëshe në një nivel më të lartë, në të mirë të të dy vendeve dhe të dy popujve,” theksoi Xi.
Nga ana e tij, presidenti shqiptar Ilir Meta u shpreh në mesazhin e urimit: “I vlerësoj lart përparimet në marrëdhëniet miqësore shqiptaro-kineze gjatë 70 vjetëve pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike. Nisma ‘Një brez, në rrugë’ e propozuar nga presidenti Xi, si dhe mekanizmi i bashkëpunimit Kinë-Vendet e Evropës Qendrore e Lindore (EQL), do të krijojnë hapësira të reja për marrëdhëniet shqiptaro-kineze. Le të përpiqemi së bashku që ta shndërrojmë 2019-n në një vit të bashkëpunimit të nivelit më të lartë me leverdi të ndërsjellë midis Shqipërisë e Kinës dhe të marrëdhënieve më të ngushta midis dy popujve.”
Po atë ditë, edhe kryeministri kinez Li Keqiang dhe homologu i tij shqiptar Edi Rama i dërguan njëri-tjetrit mesazhe urimi.
Li Keqiang-u tha se, duke e konsideruar 70-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve diplomatike si një pikënisje të re, pala kineze dëshiron të bëjë përpjekje së bashku me palën shqiptare, për të zhvilluar miqësinë tradicionale, për të thelluar bashkëpunimin dypalësh me leverdi të ndërsjellë, për të forcuar bashkërendimin brenda kornizës së mekanizmit të “Bashkëpunimit Kinë-Vendet e EQL-së” dhe të mekanizmave të tjera shumëpalësh dhe për të çuar përpara marrëdhëniet kino-shqiptare dhe bashkëpunimin Kinë-EQL.
Nga ana e tij, kryeministri Edi Rama tha: “Shpreh falënderime të përzemërta për palën kineze, që i ka dhënë palës shqiptare përkrahje dhe ndihmë gjatë disa dekadave. Pala shqiptare është e gatshme të nxitë më tej zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shqiptaro-kineze, si dhe bashkëpunimin dypalësh me leverdi të ndërsjellë.”