Që të gjithë ushtarët në bord humbën jetën kur dy helikopterë të ushtrisë amerikane u rrëzuan gjatë një misioni stërvitor në shtetin juglindor amerikan Kentucky të mërkurën vonë, raportuan mediat lokale.
Në njërin nga helikopterët HH60 Blackhawk ishin pesë ushtarë, ndërsa tek tjetri katër, u tha gazetarëve Gjeneral Brigade i Divizionit 101-të Ajror, John Lubas, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“Pavarësisht humbjeve tona, ne ishim me fat sepse ata mundën të uleshin në një fushë të hapur përballë një zone të banuar, kështu që fatmirësisht nuk pati viktima apo lëndime shtesë si rezultat i rrëzimit të helikopterit”, tha ai.
Nuk dihet ende shkaku i përplasjes.
Rreth orës 22:00 të mërkurën (02:00 GMT), dy helikopterë të Divizionit të 101-të Ajror u rrëzuan në Trigg County, Kentucky gjatë një “misioni rutinë stërvitor”, tha më parë Nondice Thurman, zëdhënës i repartit të ushtrisë amerikane Fort Campbell, i cili shtrihet në kufirin Kentucky-Tennessee.
Guvernatori i Kentucky, Andy Beshear, shkroi në Twitter: “Ka disa lajme të vështira nga Fort Campbell … Lutuni për të gjithë të prekurit”.
Divizioni i 101-të Ajror, i njohur gjithashtu si Screaming Eagles, është një divizion i specializuar modular i këmbësorisë së lehtë i Ushtrisë Amerikane, i trajnuar për operacione të sulmeve ajrore./FolDrejt/