Pas një vere që kaloi me të nxehtë përvëlues dhe thatësirë në Francë, pavarësisht shirave në vjeshtë niveli i ujërave nëntokësore është ende i ulët.
Sipas lajmit të radios ndërkombëtare franceze RFI, teksa rreziku i thatësirës është i pranishëm në 94 rajone të vendit gjendja në 42 rajone është në nivel kritik, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Edhe pse periudha e ardhshme e dimrit dhe pranverës do të jenë përcaktuese për rezervat e ujit, situata nuk duket shumë inkurajuese.
Sipas Byrosë së Gjeologjisë dhe Kërkimeve Minerale (BRGM), e cila publikon buletine mujore lidhur me nivelin e ujërave nëntokësore të Francës, viti i mëparshëm ka kaluar jashtëzakonisht keq në aspektin e thatësirës.
Pavarësisht reshjeve të herëpashershme, niveli i ujërave nëntokësore është ende në nivel shumë të ulët për shkak të periudhës së dimrit pa reshje bore dhe për shkak të stinëve pranverë-verë që kaluan me thatësirë dhe të nxehtë.
– Reshjet e parregullta për shkak të ndryshimeve klimatike janë shkaku kryesor i thatësirës
Violaine Bault, shkencëtarja e BRGM-së për ujërat, tha se “shtresat tokësore janë ende shumë të thata dhe bimët nuk kanë hyrë në gjendjen e gjumit dimëror”.
Më tej, Bault shtoi se uji ka vështirësi të kalojë pjesën e sipërme të tokës për të zbritur më thellë
“Kjo nënkupton se uji nëntokësor në disa rajone të Francës ndodhet në nivel shqetësues”, tha Bault, duke shtuar se në sezonet e dimrit dhe vjeshtës duhet të ketë “reshje më të mira”.
Bault paralajmëroi se vendi në periudhën e ardhshme do të përballet me një periudhë të parregullt reshjesh për shkak të ndryshimit jo-proporcional të klimës.
Ajo tha se rezervimi i ujit për tokën po bëhet gjithnjë e më i vështirë, si dhe theksoi se Ministria e Bujqësisë është përpjekur të krijojë zgjidhje të përkohshme duke formuar rezervuare uji, por se fusha e përdorimit të këtij uji do të jetë i kufizuar.
Instituti Kombëtar Francez i Statistikave dhe Kërkimeve Ekonomike (INSEE) në raportin e tij të publikuar në muajin gusht njoftoi se deri në vitin 2050 nga 16 deri në 29 ditë në muajt e verës temperaturat në vend do të kalojnë mbi normalen.
Në rajonet që përfshijnë 80 për qind të popullatës thuhet se për shkak të ndryshimeve klimatike verat do të kalojnë në nivele anormale dhe do të jetë në një “situatë mbytëse”./FolDrejt/