Rriqrat janë sërish një problem për malishevasit.
Edhe këtë vit, vetëm në 4 muajt e fundit janë shënuar rreth 97 pickime nga rriqrat.
Hajdin Berisha, drejtor i Drejtoratit të Shëndetësisë në Komunën e Malishevës, për Radio Kosovën thotë se gjatë këtij viti janë regjistruar 97 pickime nga rriqrat, por fatmirësisht nuk kanë përfunduar asnjë me fatalitet.
“Gjendja paraqitet e qetë. Kemi 97 raste të identifikuara që janë lajmëruar në QKMF “Shpetim Robaj” në Malishevë. I kanë hequr rriqrat dhe nuk ka ndonjë rrezik për ethet hemorragjike dhe ky është një lajm i mirë”, tha ai.
Berisha sqaron se Komuna e Malishevës ka ndarë 60 mijë euro buxhet për dezinsektimin selektiv të zonave endemike. Por problem mbetet dezinsektimi i kafshëve që duhet të bëhet nga Ministria e Bujqësisë, por që nuk është bërë, potencon Berisha.
“Komuna e Malishevës për këtë vit ka ndarë 60 mijë euro buxhet për aktivitet e dezinsektimit selektiv. Dezinsektimi selektiv mbetet një prej opsioneve që është me i lehtë për t’u realizuar. Mirëpo, kemi edhe një aktivitet, i cili që katër vjet është duke dështuar, aktiviteti i repelimit të kafshët, përkatësisht dezinsektimin e tyre”, tha ai.
Komuna e Malishevës njihet si vatër endemike e rriqrave, ku nga paslufta si pasojë e etheve hemorragjike Krime Kongo kanë vdekur 18 qytetarë.