Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka thënë se këtë vit nuk do të ketë subvencionim për izolimin e shtëpive, si masë për të shpenzuar më pak energji elektrike.
Ajo tha se nga ekspertët e MCC-së që kanë filluar pilotimin e masave për efiçiencë të energjisë, kanë sugjeruar që të mos fillohet me masa të shpejt për izolimin e shtëpive sivjet, pasi sipas saj, masat që janë zbatuar në të kaluarën kanë pasur tendenca për keqpërdorime.
“Në ndërkohë, kanë filluar pilotim të masave nga MCC dhe ekspertët e tyre që kanë punuar në këto masa, ka qenë rekomandim i tyre që të mos fillojmë me masa të shpejta për izolim të shtëpive sivjet, duke marrë parasysh për dëmët që mund të shkaktohen në shtëpi, në qoftë se nuk bëhen intervenimet me një plan të duhur por edhe duke e parë që në masat që janë zbatuar në të kalurën ka pasur tendenca për keqpërdorime”, është shprehur Rizvanolli, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ajo tha se institucionet e Kosovës për efiçiencë kanë relativisht pak përvojë, teksa shtoi se ato e kanë pasur edhe një histori të keqpërdorimeve.
“Andaj duke marrë parasysh kompleksitetin e subvencionimit të shtëpive nuk kemi dashur që të dizajnojmë masa në një formë të shpejtë dhe pa i menduar të gjitha fazat në mënyrë që të mos lejojmë keqpërdorimin e asnjë euro të konsumatorëve”, është shprehur Rizvanolli, njofton Klankosova.tv.
Kujtojmë se ditë më parë, ishte vetë Rizvanolli ajo që i bëri ftesë qytetarëve të vendit që t’i izolojnë shtëpitë e tyre në mënyrë që dimri që po vjen të kalohet me sa më pak konsum të energjisë.