Vitaly Klitschko, kryebashkiak i Kievit dhe ish-kampion i botës në boks në peshën e rëndë, nuk donte të thoshte konkretisht nëse do të sfidonte presidentin ukrainas Volodymyr Zlensky në zgjedhjet presidenciale të vitit të ardhshëm.
“Kur një vend është në luftë, kur një pjesë e madhe e vendit është e pushtuar, kur dhjetë milionë njerëz janë jashtë vendit, konkurrenca politike mund të jetë fatale për vendin tonë”, tha ai në një intervistë për një agjenci gjermane të lajmeve të mërkurën.
Tani është koha për të mbrojtur vendin, tha Klitschko, i cili është kryetar bashkie që nga viti 2014. Sot bëhet fjalë për mbijetesën e Ukrainës, jo për atë se kush e sundon vendin. “Qytetarët tanë po paguajnë një çmim të madh për këtë,” tha ai, pak para përvjetorit të parë të pushtimit rus.
Ajo që duhet është bashkimi i të gjitha forcave politike, të gjitha partive politike, beson ai. “Ne qëndrojmë nën një flamur: blu dhe të verdhë, flamuri ynë ukrainas. Fatkeqësisht, jo të gjithë e kuptojnë këtë, edhe këtu në Ukrainë”.
Prioriteti, tha ai, është mbrojtja. “Vendi duhet të jetë i pavarur dhe sovran. Vendi duhet të bëhet demokratik”.
Klitschko tha: “Unë jam duke bërë punën time. Jam gati. Supi im është gjithmonë gati për çdo patriot, çdo mbrojtës”.
I pyetur se pse nuk qëndron krah për krah me Zelenskin, i cili me 170 centimetrat e tij është më shumë se 30 centimetra më i shkurtër se Klitschko që është 201 centimetra i gjatë, ish-boksieri është shprehur: “Sup më sup, nuk mund ta bëjmë këtë. Nuk funksionon duke marrë parasysh lartësinë…thjesht shaka”.
Ai tha se për momentin nuk po mendon të sfidojë Zelenskiy, “por nëse vendi ka nevojë për mua, atëherë nuk kam zgjidhje tjetër”. /FolDrejt/