Në deklaratën e Bashkimit Evropian, theksohet se pjesëmarrjen në takimin e Brukselit e kanë konfirmuare dhe kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ashtu dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të takohen sot me ftesë të Përfaqësuesit të Lartë të Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, në kuadër të dialogut Prishtinë-Beograd në Bruksel.
Në deklaratën e Bashkimit Evropian, theksohet se pjesëmarrjen në takim e kanë konfirmuar presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
“Në takim do të diskutohet propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, thuhet nga Brukseli.
Shtohet se Borrell dhe i dërguari i BE-së për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak, fillimisht do të takohen ndaras me liderët, e më pas do të mbahet një takim i përbashkët trepalësh. Takimet do të zgjasin një ditë të tërë dhe Bashkimi Evropian shprehu shpresën se dy zyrtarët do të mund ta pranojnë propozimin evropian.
Në takim do të diskutohet propozimi i BE-së për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, thuhet nga Brukseli
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së fundi ka deklaruar se Qeveria e Kosovës e ka pranuar atë propozim evropian, si bazë e mirë për negociatat e mëtutjeshme me Serbinë. Në bazë të disa pjesëve të atij plani që dolën në opinion, Serbia nuk do të duhej ta njihte zyrtarisht pavarësinë e Kosovës, por duke e pranuar atë marrëveshje do ta njihte de fakto Kosovën.
“Nuk synohet si propozim për një marrëveshje përfundimtare. Por është normalizimi, i cili ende nuk ka përfunduar, mund të themi, njohje de facto”, tha Kurti.
Sipas tij, është një marrëveshje e detyrueshme juridikisht dhe ndërkombëtare, edhe pse nuk është përfundimtare. Kurti tha se autoritetet e Kosovës e pranojnë planin në parim, por se ai duhet të negociohet.
“Ne e pranojmë në parim, duhet të negociojmë dhe pastaj duhet ta kthejmë atë propozim në marrëveshje, sepse ka ende shumë gjëra që nuk janë përcaktuar. Sidomos në lidhje me garancitë ndërkombëtare, mekanizmat e zbatimit dhe sekuencën kohore”, tha ai.
Ai përsëriti vlerësimin e tij se plani është një bazë e mirë për diskutime të mëtejshme për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës.
Sipas tij, kur plani është prezantuar për herë të parë më 9 shtator nuk ka qenë kusht merre-ose-lëre dhe më 20 janar ishte shumë afër vendosjes së një kushti të tillë.
Pritet që mosmarrëveshja më e madhe të jetë për shkak të komunitetit të komunave serbe. Vuçiq dhe shumë zyrtarë ndërkombëtarë në periudhën e kaluar këmbëngulën për formimin e asociacionit, por Kurti me vendosmëri refuzon të diskutojë për këtë.
BASHKËSIA E KOMUNAVE SERBE
Kurti së fundi tha se komuniteti i komunave serbe është aparteid dhe shtoi se është i papranueshëm formimi i një komuniteti në baza monoetnike.
Ai i bëri thirrje Serbisë që të jetë e para që do të formojë komunitete në Luginën e Preshevës apo Sanxhak dhe të tregojë me shembull se si duhet të funksionojë ai model.
“Por mendoj se nuk është ide e popullit, për rritjen e të drejtave të qytetarëve, por pjesë e zgjerimit territorial të Serbisë në Bosnje-Hercegovinë, Mal të Zi dhe Kosovë. Serbia po jep qindra milionë euro për të penguar integrimin e serbëve. Prandaj, koncepti i botës serbe si një emër i ri për Serbinë e madhe jeton, duke i instrumentalizuar serbët kudo që janë”, tha Kurti.
Kurti i pyetur se si planifikon t’i kthejë serbët në institucionet e Kosovës, Kurti tha se kryetarët e komunave që dhanë dorëheqje nuk mund të kthehen dhe shtoi se do të duhet të organizohen zgjedhje të reja.
“Në anën tjetër jemi shumë të interesuar që sa më shumë serb të aplikojnë për t’u bërë policë në Kosovë. Deri më tani nuk janë regjistruar mjaftueshëm, por numri është në rritje, ndaj jemi me shpresë. Nuk dua të zëvendësoj serbët me shqiptarë në veri, por nuk do të ndalemi së zbatuari sundimin e ligjit në të gjithë territorin”, ka thënë Kurti, shkruan mediumi boshnjak Oslobodjenje./FolDrejt/