Një nga këshillat më të përsëritura që mbajmë mend që kur kemi mësuar notin është se nuk duhet të lahemi në ujë menjëherë pasi kemi ngrënë.
Këtyre këshillave u jemi bindur me përpikëri pa vënë në mëdyshje bazat shkencore mbi të cilat mbështeten.
Noti pas ushqimit, legjendë urbane apo e vërtetë?
Teoria e pritjes përpara notit në det apo liqen është se kur njeriu ushqehet, një pjesë e gjakut tërhiqet nga krahët dhe këmbët dhe shkon në sistemin tretës për të ndihmuar për tretjen.
Kësisoj në mungesë të gjakut të mjaftueshëm, këmbët dhe duart lodhen më shpejt dhe rrisin rrezikun e mbytjes në ujë.
Sipas AgroWeb, kjo teori është kryesisht e gabuar për arsyet e mëposhtme.
Ekspertët pranojnë se gjatë tretjes, një pjesë e gjakut mblidhet në sistemin tretës, por sasia e gjakut të tërhequr nga gjymtyrët nuk është aq e madhe sa të rrezikojë shëndetin e njeriut apo ta çojë atë drejt mbytjes.
Sipas tyre, organizmi i njeriut është plotësisht në gjendje të kompensojë lëvizshmërinë e gjymtyrëve pas ngrënies.
Kësisoj, pretendimet e lartpërmendura janë të pabaza dhe arrijnë deri aty sa të klasifikohen një legjendë urbane.
A duhet të notojmë me stomakun plot?
Noti me stomakun plot nuk rekomandohet në bazat e parehatisë.
Në rastin më të keq, njeriu që noton me stomakun plot mund të ketë shtrëngime të tij gjatë notit ose të përziera.
Stomakut i duhen disa orë për tu zbrazur.
Noti dhe çdo aktivitet tjetër fizik nxit kontraktimet e stomakut.
Këto të fundit bashkë me frymëmarrjen e rënduar nxisin nxjerrjen e ushqimit nëpërmjet të vjellave.
Por nëse e keni të domosdoshme të laheni pas ushqyerjes, ekspertët këshillojnë që të kaloni disa minuta në fillim duke ndenjur në breg e më pas duke u futur në thellësi.
Ushqimet më të përshtatshme për një not më të lehtë
Nëse noti është aktiviteti juaj kryesor gjatë verës, ekspertët këshillojnë ngrënien e ushqimeve të lehta dhe jo me shumë yndyrë.
Për shembull një panine dhe një frut janë një kombinim i lehtë për stomakun.
Rrushi, kastraveci, shalqiri, pjepri, perimet janë kryesisht të lehta dhe nuk e rëndojnë stomakun.
Pijet alkoolike dhe ato të gazuara shterojnë lëngjet në organizëm dhe nuk duhen konsumuar përpara notit.