I ndodhi sa ishte në opozitë
E po i përsëritet edhe tani kur është në pushtet.
Veçse Albulena Haxhiu mohon se e di arsyen përse është cak i të paktën katër prej ofendimeve më të rënda që kanë ndodhur në Kuvendin e Kosovës.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, u përball me një situatë të tillë edhe këtë javë, kur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri, shau me rob, ani se jo direkt anëtaren e qeverisë.
Kjo ndodhi pasi deputetët e PDK-së e ndërprenë fjalën e Haxhiut, derisa kjo po e jepte qëndrimin e saj për ambasadorin e Kosovës në Slloveni, Martin Berishaj, dhe po bënte një krahasim me raportin e Freedom House, ku flitej negativisht për ish-presidentin, Hashim Thaçi.
E dy ish-anëtarë të Kuvendit ishin më të drejtpërdrejtë në raport me të.
Ish-kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli, në tetor të vitit 2015, i kishte thënë: “Ma hangsh…”, në një shpërthim të tij, derisa kjo po e quante kriminel.
Kjo, derisa dy muaj më herët, ish-nënkryetari i Kuvendit, Sabri Hamiti i pati thënë: “Oj zojë, mos bërtit! Mos klith!”, derisa kjo si opozitare po e kërkonte fjalën.
E në janar të vitit 2017, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Besa Gaxherri, i pati thënë: “Mshele! Nuk ka gjë më mëkat se me qenë ti deputete.”
Ministrja e kontaktuar nga Klankosova.tv thotë se nuk e ka idenë se pse disa nga ngjarjet më të pazakonta në Parlament kanë ndodhur kur kjo mbante fjalim apo debatonte. Por thotë se e di cila nuk është detyra e saj në kësi raste.
“Për besë nuk e kam ndonjë sqarim se pse kanë ndodhur gjithë këto, duhet të sqarohen ata që flasin gjëra që s’duhet. Nuk është detyra ime që të edukojë e të mësoj si të flas askënd – kjo mbetet përgjegjësi e gjithsecilit që zgjedh të shprehet ashtu”, tha ajo.
Haxhiu mohon se e kanë dëmtuar këto sharje në politikë.
“Hallin e kam tjetër kund pasi që mendoj se një qasje e tillë bën që gratë të mos përfshihen fare në politikë. Mua gjithë këto më kanë forcuar dhe më kanë shtyrë që të vazhdoj përpara e nuk më kanë ndalë asnjëherë. Por, kam frikën se gratë e tjera mund të ngurrojnë pas qasjeve të tilla, i inkurajoj të gjitha që të mos ndalen dhe të përfshihen në politikë pasi qasja e tillë mbetet përgjegjësi e individëve që flasin ashtu”, tha ministrja për Klankosova.tv.
Haxhiu, si njëra nga aktivistet më të zëshme të lëvizjes Vetëvendosje, ishte bërë protagoniste edhe e një situate të pazakontë kur si deputete e opozitës, hidhte gaz lotsjellës në Kuvend. Ajo ishte alivanosur derisa policia e kishte ndaluar hyrjen e saj në ndërtesë. E më pas u tha se gjendja iu përkeqësua meqë bombolën e gazit e kishte fshehur në organet gjenitale. Por, kjo u mohua atëbotë nga deputetja, e cila tha se atë e kishte mbajtur në rroba e jo brenda trupit.