Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq në një intervistë për Euronews ka folur për bisedimet me Kosovën, duke thënë se marrëveshjet e deritanishme të nënshkruara nga të tria palët, duke i përfshirë këtu edhe përfaqësuesit e Bashkimit Evropian, duhet të zbatohet, shkruan Fol Drejt.
Vuçiq ka lënë të kuptohet se Beogradi zyrtar tashmë pajtohet me gjithçka që është arritur deri më tani, ndërsa është ndalur edhe te çështja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe:
“Janë katër marrëveshje. Të gjitha janë të nënshkruar dhe natyrisht se ato i kanë nënshkruar përfaqësuesit e BE-së, dhe ato duhet të implementohen” – ka thënë ai.
Megjithatë sipas tij ky nuk është qëllimi përfundimtar, sepse, sipas tij “qëllimi përfundimtar është që serbët dhe shqiptarët të jetojnë bashkë, të jetojnë shumë më mirë dhe të respektojnë njëri-tjetrin, pa armiqësi. Nuk ka rëndësi nëse do të implementohet për tre muaj apo tri vite, por nëse arrijmë, do të jetë sukses historik”, tha Vuçiq.
Ai ka refuzuar të flas për “vijat e kuqe” duke thënë se më e rëndësishme është të gjendet kompromisi ndërmjet palëve dhe të arrihet diçka e vlefshme.
“Jemi të gatshëm ta bëjmë këtë. Natyrisht të dyja palët kanë vijat e kuqe dhe këtë nuk mund ta mohoj, por ne, besoj të dyja palët, duhet të bëjmë shumë për të normalizuar situatën mes kombeve tona, popujve tanë, duke pasur parasysh këtë, besoj se është në interes të të dyja palëve që të sigurohet lëvizja e lirë e mallrave, njerëzve dhe kapitalit. Duhet të punojmë me shumë zell për këtë, si dhe për zbatimin e të gjitha marrëveshje të mëparshme”, shtoi Vuçiq.
Ai është pyetur edhe për çështjen e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe organizata të tjera, ai ka thënë se qëndrimet e tij ua ka shfaqur edhe krerëve të fuqive ndërkombëtare, dhe se “qëndrimi ynë për sa i përket anëtarësimit në OKB dihet”, por për anëtarësim në organizata të tjera ai ka thënë se Kosovës nuk i duhet leja e Serbisë.
Ndërsa sa i përket takimit të Ohrit ai ka thënë se “Serbia është përherë e gatshme” të bisedojë për gjithçka dhe për çdo gjë. Në pozicionin aktual të Serbisë sipas tij, ka ndikuar presioni i madh ndërkombëtar. “Njerëzit, thjesht, janë lodhur nga presioni” – ka thënë ai./FolDrejt/