Sot Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti, në Bruksel, pritet të përballet me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq, shkruan Fol Drejt.
Josep Borrell, Përfaqësues i Lartë i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, ka bërë të ditur se me Kryeministrin Kurti do të takohet në orën 15:00, ndërsa me Vuçiqin në orën 16:15.
Pastaj, pas takimeve të ndara, në orën 17:15, Borrell do të zhvillojë takim të përbashkët me të dyja palët. Pas takimeve, Borrell pritet të mbajë deklaratë për shtyp.
Në fokus të takimit mbetet propozimi i Bashkimit Evropian për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ndërsa emisari i BE-së, Miroslav Lajçak, ka thënë se presin që të dy palët të deklarohen përfundimisht pro këtij propozimi të hënën.
Duhet të ua kujtojmë se Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka pranuar një letër të përbashkët nga Presidenti i Francës, Emmanuel Macron, Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni në lidhje me takimin e nesërm në Bruksel dhe propozimin Evropian. Në këtë letër ata e kanë mirëpritur qëndrimin e Kurtit për sa i përket Propozimit Evropian, ndërsa e kanë inkurajuar që të përpiqet më tepër për paqe, e prosperitet për rajonin.
Po ashtu, në letrën e tyre kanë përmendur edhe krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Në konkluzionet e tij të datës 9 mars, Këshilli Evropian shprehu mbështetjen e tij për këtë marrëveshje të rëndësishme dhe në të njëjtën kohë i kërkoi Serbisë dhe Kosovës t’i përmbahen, plotësisht dhe pa kushte, detyrimet që u angazhuan në kuadër të dialogut, përfshirë marrëveshjet nga viti 2013 dhe 2015 për të krijuar Asocacionin e Komunave me Shumicë serbe”, thuhet në letrën e përbashkët të Macron, Scholz dhe Meloni.
Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq ka qenë insistues për sa i përket çështjes së Asociacionit, ndërsa Kurti ka refuzuar fillimisht në mënyrë kategorike formimin e tij, e më pas ka kërkuar njohjen reciproke në qendër dhe Asociacionin pa kompetenca ekzekutive. Njohësit e zhvillimeve në vend thonë se edhe nëse do të ketë një pajtim në parim, procesi i bisedimeve do të vijojë për sa u përket teknikaliteteve të tjera./FolDrejt/