Një burrë që flet me një kafkë. Një monolog për vetëvrasjen, në kufirin poroz midis mendjes dhe çmendurisë. Një vajzë që po mbytet në një përrua, e pikëlluar për babain e saj. Nëse David Lynch do të kishte bërë “Tëin Peaks” 400 vjet më parë, ai mund të kishte dalë me diçka të ngjashme. Por ky ishte Uilliam Shekspiri. Në vitin 1596, i biri i tij Hamnet vdiq në moshën 11 vjeçare dhe 5 vjet më vonë, teksa dramaturgu po përfundonte Hamletin e tij tragjik, babai i Shekspirit pësoi një sëmundje serioze. Ai do të vdiste në shtator 1601.
Profesori i Harvardit Stephen Greenblatt shkruan: “Diçka duhet të ketë ndodhur tek Shekspiri, diçka që ka nxitur këtë shpërthim linuistik. “Siç e kanë kuptuar instiktivisht prej kohësh audiencat dhe lexuesit, dhimbja e fortë e provokuar nga vdekja e një njeriu të dashur, qëndron në zemër të tragjedisë së Shekspirit”. Vdekja e të birit dhe pritja e vdekjes së të atit, mund të ketë shkaktuar “një shqetësim psikik që ndihmon për të hspjeguar fuqinë shpërthyese të Hamletit”. Ajo që shihet si një prej veprave më të mëdha të letërsisë, mund ta ketë patur origjinën tek vuajtjet e forta emocionale.
Poçja në të cilën u krijua Hamleti mund të ndihmojë që të shpjegojmë pse tragjedia vazhdon të flasë me audiencat në mbarë botën, prej katër shekujsh. Hamleti është “shfaqja që ilustron kuptimin e thellë të të psikikës njerëzore nga ana e Shekspirit, përzierjen e njëkohshme të gjenialitetit dhe vetë-sabotimit, aftësisë tonë për dashuri dhe urrejtje, kreativitet dhe shkatërrim”, pohon poetja, romancierja dhe kritikja amerikane, Elizabeth Rosner. Sipas autorit dhe kritikut nga Mbretëria e Bashkuar, Adam Thorpe, është një histori që “ka ndikuar në mënyrën se si mendojmë për veten tonë dhe trazirën brenda saj. Ne hyjmë në brendësi të shpirtit të Hamletit, dhe dalim prej aty të mbushur me iluzione”. Hamleti zbulon se sa shumë historitë mund të na mësojnë për veten tonë.
Si ka thënë filozofi Noam Chomsky, “ne gjithmonë do të mësojmë më shumë për jetën dhe personalitetin njerëzor nga romanet sesa nga psikologjia shkencore” – diçka që kritiku dhe autori David Lodge e ka eksploruar. Në librin e tij “The Consciousness and the Novel” në vitin 2004, Lodge argumenton se “letërsia është një regjistrim i vetëdijes njerëzore, më i pasuri dhe më gjithëpërfshirësi që kemi … Romani është padyshim përpjekja më e suksesshme e njeriut për të përshkruar përvojën e qenieve njerëzore, që lëvizin përmes hapësirës dhe kohës”.
Në një nivel, është aftësia për të spiunuar mendimet e njerëzve të tjerë që i jep letërsisë këtë pasqyrë. “Ne nuk e dimë se çfarë mendon dikush tjetër në çdo kohë – ndërgjegjja është një gjë shumë private – dhe ne pjesërisht shfrytëzojmë në letërsinë, në format e saj të ndryshme për të kompensuar fshehtësinë e nevojshme të jetës sonë të brendshme”, thotë Lodge. “Në thelb, arsyeja pse ne lexojmë tekstet letrare është se ata të japin përshtypjen, nëse janë të suksesshme, sikur na aftësojnë për të lexuar atë që mendojnë të tjerët. Ne e dimë se çfarë ndjejmë dhe çfarë mendojmë dhe çfarë shpresojmë apo kemi frikë, por ne nuk e dimë se si njerëzit e tjerë i përpunojnë këto ndjenja dhe vëzhgime”. / Me shkurtime nga BBC – Bota.al