Profesori universitar Milazim Krasniqi, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shtruar pyetjen se a mund të ndodh europianizimi dhe atlantizimi i Serbisë.
Ai ka thënë se për këtë mund të na jep leksion përvoja se si e kanë trajtuar evropianët çështjen serbe dhe çka kanë prodhuar ato projekte.
Ky është postimi i profesor Milazim Krasniqit në llogarinë e tij në Facebook:
“A është projekt i mundshëm europianizimi dhe atlantizimi i Serbisë? Se a është projekt i mundshëm mund të na jep leksion përvoja se si e kanë trajtuar evropianët çështjen serbe dhe çka kanë prodhuar ato projekte. 1. Në sfondin e luftërave ballkanike, nga Konferenca e Londrës, u lejua krijimi i Serbisë së Madhe, ndonëse e krijuar me gjenocid. 2. Edhe pse Serbia e shkaktoi Luftën e Parë Botërore, shkaku i atentatit në Sarajevë, që ishte organizuar nga shërbimet sekrete të Serbisë, Serbia prapë u shpërblye, në vend se të ndëshkohej për kasaphanën që provokoi. 3. Mbretërisë SKS iu lejua politika e aneksimit dhe e bashkimit të dhunshëm ndaj Malit të Zi, Kroacisë, Vojvodinës, Sllovenisë, Kosovës dhe “Serbisë Jugore” (Maqedonisë.) 4. Jugosllavinë e AVNOJ-it e bënë britanikët së bashku me sovjetikët. Karakteri i panatyrshëm i saj u pa menjëherë pas mbarimit të luftës, duke filluar me krizën e Triestës, me konfliktin me Stalinin, me rolin në të ashtuquajturën lëvizje e mosinkuadrimit (ku herë i shërbente Lindjes e herë Perëndimit!) e deri të shpërbërja me një konflikt të përgjakshëm. 5. Jugosllavia e Zhablakut (1991) ishte krijesë e kriminelit Slobodan Millosheviqit, por prapë u njoh. 6. Serbia e sotme, së cilës i është pranuar kontinuiteti me Jugosllavinë, ende e mban në preambulën e Kushtetutës së vet, Kosovën, ndonëse Kosova ka proklamuar pavarësinë në vitin 2008.
Duke lejuar gjithë ato eksperimente ne Serbinë, Perëndimi e ka lejuar gjenocidin. Prapë po e ndjek të njëjtën skemë. Prapë do të përfundojë në një katastrofë. Pyetja një milion dollarëshe është: a mos Perëndimi po e programon katastrofën e radhës në Ballkan, që të jetë e gatshme për eksplodim pas mbylljes së luftës në Ukrainë? Nëse veprimet që po bëhen mund të lexohen si sinjale, kjo është e mundshme, sepse të gjitha eksperimentet e deriatshme me Serbinë e me Jugosllavinë atë përfundim e kanë pasur”. /FolDrejt/