Në saje të reformave sa të shpeshta, të shpejta, aq të shumta, “të pamëshirshme”, edhe dija, s’po themi se është ridefinuar, por që ka marrë trajtë tjetër, nuk do mend. Ky imazh i dijes dhe për dijen në këtë kontekst kohor ka rezultuar me zbehjen e imazhimit të vetes brenda saj. Në këtë kuptim, parashtrohet pyetja: a i mungon veta dijes?! Cilës vetë i takon dija?! A mjafton vetëm dija pa vetë?! Cila është ndërlidhja mes vetes dhe dijes?!
Këto pyetje të lartshtruara, vënë në pah (pa)rëndësinë e këtij binomi. Shtrimi i kësaj çështje mund të shikohet në dy pikëpamje: elitës intelektuale dhe masës shoqërore. Kur themi elitë intelektuale, kemi për synim çarçet e njerëzve të arrirë akademikisht dhe kompetentë të fushave të profilizuara studimore. Tek intelektualët hasim problemin “ekstremist të profilizimit”, ku dijnë shumë pak për fushat e tjera, jashtë lëmisë së tyre të studimit. Po ashtu, ka raste kur janë njohës të fushës së tyre, mirëpo kanë kriza të thella të formimit personal a përkatësisë së tyre.
Gjersa trajtimi i vetes dhe dijes në rrafshin social, është një kompleks më vete, i shtrirë në konstruktet shoqërore, pamja e të cilit përmban e shfaqë komplkesitetin si dukuri. Shoqëria përbëhet nga individët, pra vetet. Individi apo veta jorrallëherë e gjenë veten pabesimtar karshi konceptimit të asaj se dija krijon veten (identitetin). Pra, sipas tyre vetja qe gatise e pavarur nga dija. Këtu ka ndikuar komercializmi dhe fryma postmoderne, në të shumtën e rasteve stërkeqja e “storjeve të suksesit” dhe “mendimit pozitivist”. Ka raste kur individë të caktuar kanë dije më tepër sesa që e proklamojnë, përfundojnë me përformancë të dobët, pikërisht për shkak të pavetëdijes së tyre për rëndësinë që e ka dija dhe potenciali të cilin e posedojnë.
Ndaj, paraprirja e formimit të identitetit personal, ndërtimi i vetes në kohezion me dijen, si dhe dyzimi i këtyre koncepteve, ashtu që të zhvillohen paralelisht, është qasja e duhur, e cila i shërben zgjimeve individuale e këndelljeve kolektive përballë realiteteve të pafavorshme, për të mos thënë joprogresiste. Duhet të besojmë mbi premisën: VETËDIJE.
Lumi HAJRA