Ditë më parë, Qeveria e Republikës së Kosovës i shpalli si organizata terroriste “Brigadën e Veriut” dhe “Mbrojtjen Civile”. Por ky vendim, nuk ka qenë i koordinuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), u tha së fundi nga Departamenti i Shtetit, shkruan Fol Drejt.
Kryeministri i Republikës së Kosovës Albin Kurti duke iu referuar vlerësimeve të institucioneve të sigurisë tha se “këto formacione ilegale paraqesin kërcënim serioz për rendin kushtetues dhe sigurinë në Kosovë”, prandaj duke qenë kërcënim “ndaj rendit juridik e kushtetues”, organizatat në fjalë “‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e Veriut’ shpallen organizata terroriste.”
Nga pala serbe u tha se ky vendim i Qeverisë së Kosovës, është thjesht, një hap drejt krijimit të kontekstit të përshtatshëm ligjor, për të vijuar edhe më tej “terrorizimin” e serbëve lokalë.
Aleksandër Arsenjijeviq, kryetar i nismës qytetare “Mbijetesa e Serbëve” që vepron në veri të Mitrovicës, i ka quajtur këto organizata si fantome. Ai tha për agjencinë Beta se Mbrojtja Civile u shpërbë në vitin 2013 pas nënshkrimit të Marrëveshjes së parë të Brukselit dhe se e ashtuquajtura “Brigada e Veriut” nuk ka ekzistuar kurrë.
“Mbrojtja Civile, e cila kishte të punësuar rreth 350 serbë, u shpërbë në vitin 2013 pas nënshkrimit të Marrëveshjes së parë të Brukselit, kur të gjitha institucionet serbe nga veriu i Kosovës u integruan në sistemin e Kosovës. E ashtuquajtura ‘Brigada e Veriut’ është emërtimi i një organizate që nuk ekziston, kështu që ky vendim i Qeverisë së Kosovës paraqet një formë tjetër të presionit dhe shpalljes së arrestimeve të reja të serbëve të pafajshëm në veri të Kosovës”, citohet të ketë thënë Arsenijeviq.
Nga Lista Serbe po ashtu ka ardhur një reagim, duke thënë se ky vendim i qeverisë, atakonte organizatat inekzistente.
“Vendimi i regjimit të Albin Kurtit për të shpallur organizatat inekzistente Mbrojtjen Civile dhe Brigadën e Veriut si terroriste është pjesë e planit të regjimit të Kurtit për të krijuar një armik imagjinar, virtual për të justifikuar vazhdimin e terrorit politik që kryen me forcat e saj speciale në veri të Kosovës, përmes arrestimeve të pabaza të serbëve të pafajshëm, ngacmimeve dhe frikësimit të qytetarëve.”
Megjithatë, përkundër mohimit të këtyre akuzave, Qeveria e Kosovës dhe vetë Kryeministri Kurti, i ka dekonspiruar me emër dhe mbiemër të dyshuarit të cilët besohet se janë involvuar në aktivitete kriminale, e të njëjtit janë shfrytëzuar nga Beogradi zyrtar, për ta destabilizuar situatën në Kosovë, për sa herë janë urdhëruar.
Në mediat opozitare serbe shpesh këto grupe janë identifikuar si dorë e zgjatur e Aleksandër Vuçiqit në Kosovë. Një pasqyrë të qartë e ofron edhe reportazhi i paradokohshëm i New York Times, për lidhjet e grupeve kriminale në veri të Kosovës, me pushtetin e Serbisë.
Pavarësisht këtyre reagimeve, institucionet e Kosovës, duket se janë të vendosura në shtrirjen e rendit dhe ligjit në tërë territorin e vendit./FolDrejt/