Sipas informacioneve më të reja, sapo ka filluar heqja e barrikadave në rrugët e veriut të Kosovës, shkruan Fol Drejt.
Pas thirrjeve të shumta nga autoritetet ndërkombëtare për ulje të tensioneve, dialog dhe paqe, pritet që situata të normalizohet sërish.
E gjitha ndodhi pasi Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar se që nga 1 gushti, do të niste zbatimi i reciprocitetit me Serbinë për targat dhe letërnjoftimet.
Vetëm dy ditë para se ky vendim të hynte në fuqi, serbët lokalë në veri të vendit filluan kundërshtimet e tyre duke vendosur barrikada në rrugët që çojnë në dy pikë kalimet kufitare me Serbinë – Jarinje dhe Bërnjak.
Situata u përcoll edhe me të shtëna me armë zjarri të cilat u konfirmuan edhe nga Policia e Kosovës, e disa qytetarë edhe u maltretuan në kufi.
Qeveria tha se do të shtyjë zbatimin e vendimeve për lëshimin e dokumenteve për hyrje-dalje për shtetasit e Serbisë që hyjnë në Kosovë dhe atë për ndryshimin e targave serbe, kur të hiqen bllokadat./FolDrejt/