Ndërkohë që shumë druajnë për mutacionet dhe një valë të tretë, në mbarë botën po ulen shifrat e infeksioneve. A po humbet virusi forcën apo masat e marra po japin efekt?
Me fillimin e pranverës edhe durimi tek shumë njerëz ka një fund: Ata duan një perspektivë, se kur do të shfuqizohet lockdown-i gradualisht, kur do të mund të vaksinohen dhe kur do të marrë fund kjo pandemi, shkruan Deutche Welle.
Diskutime të tilla morën hov edhe nga fjalët që qarkulluan, sikur OBSH pret një fund të shpejtë të pandemisë së koronavirusit. Drejtori i OBSH-së për Europën, belgu Hans Henri Kluge, në një intervistë për radion daneze citohet të ketë thënë, se për pak muaj do të jetë përballuar pandemia”.
Por vetë drejtori i OBSH-së thotë, se e kanë keqkuptuar. Pas debatesh të ashpra në qarqet e ekspertëve dhe në rrjetet sociale, Kluge bëri të qartë për televizionin gjerman ZDF, se ai “nuk e ka thënë kurrë këtë”. Ai thekson, se ajo që ka thënë është, se askush nuk mund të parashikojë, se kur do të jetë përballuar pandemia.
“Do të thoja – si një hipotezë analize – se në fillim të 2022 ne do ta kemi lënë pas pandeminë”, sqaron më tej drejtori, por Kluge thotë në ZDF, se beson, që nuk do të jenë më të nevojshme masat e bezdishme.