“Harvard Health” në një studim i vitit 2018 tregoi se fëmijët që marrin rregullisht antibiotikë janë më të rrezikuar nga obeziteti sesa fëmijët që marrin më pak ilaçe.
Janë kryer disa studime mbi lidhjen midis antibiotikëve dhe peshës, përcjell Fol Drejt.
Një studim i vitit 2014 me minjtë zbuloi se ata që ishin të ekspozuar ndaj antibiotikëve fituan shumë më tepër peshë sesa minjtë e tjerë që ushqeheshin me të njëjtën dietë. Një studim tjetër i vitit 2011 vërtetoi se antibiotikët kanë një efekt të rëndësishëm në hormonin e urisë në trup, të quajtur ghrelin.
Disa ekspertë shpjegojnë për portalin “Byrdie” nëse ka lidhje marrja e antibiotikëve dhe shtimi në peshë.
Antibiotikët ndikojnë në shëndetin e zorrëve
Dr. Pat Salber thotë se antibiotikët kanë një efekt në një numër bakteresh në zorrën e njeriut.
“Ne e dimë se këto baktere, të njohura kolektivisht si mikrobioma, kanë efekte të rëndësishme në homeostazën e energjisë dhe kontrollin e peshës”, thotë Dr. Salber.
Ajo shton se ka ende një debat për efektet e antibiotikëve në lidhje me peshën, pra shtimin në peshë. Dr Salber thekson se nuk ka një përgjigje të thjeshtë për pyetjen nëse antibiotikët ndikojnë në shtimin e peshës.
“Antibiotikët duket se janë keqbërësit më të fundit në historinë e mbipeshes, por ata mund të mos veprojnë vetëm”, shton ajo.
Antibiotikët mund të shkaktojnë një rritje të tepërt të baktereve të këqija
Dr. Christopher Calapai shprehet se antibiotikët shkatërrojnë florën e tretjes dhe çojnë në çekuilibër bakterial, i cili është një nga shkaqet më të zakonshme të fryrjes.
“Përveç kësaj, antibiotikët mund të shkaktojnë ndryshim në zakonet e zorrëve dhe përthithjen e ushqimit dhe lëndëve ushqyese, të cilat mund të shkaktojnë një ndjenjë lodhjeje apo dobësie”, shton doktori.
Mjeku thekson se është e rëndësishme të mos ekzagjeroni përdorimin e antibiotikëve sepse mund të dëmtojë bakteret e zorrëve, mund të dëmtohen mitokondritë, gjë që më pas ndikon në peshën tuaj sepse detyra kryesore e mitokondrive është shndërrimi i ushqimit në energji.
“Antibiotikët gjithashtu mund të rrisin nivelet e grelinës në gjak, e cila është një stimulues i fuqishëm i oreksit”, thotë doktori.
Dr. Roshini Raj, gastroenterologe pohon se antibiotikët gjithashtu vrasin shumë nga bakteret e shëndetshme dhe të mira në zorrë, të cilat mund të nxjerrin jashtë ekuilibrit sistemin e tretjes dhe të lejojnë një rritje të tepërt të baktereve të këqija që mund të shkaktojnë shtim në peshë.
Bakteret e këqija të zorrëve mund të stimulojnë dëshirat për ushqim, urinë dhe inflamacionin, dhe gjithashtu mund të rrisin sasinë e energjisë që trupi juaj ka nevojë për të tretur ushqimin, duke rezultuar potencialisht në ndjenjat e plogështisë dhe lodhjes.
Doktor Raj shton se “për shkak të mungesës së baktereve të mira, mund të jeni më të fryrë dhe mund të keni jashtëqitje të parregullta”.
Antibiotikët dhe probiotikët
Dr. Calapai thotë se antibiotikët mund të ndikojnë në organizmat natyralë në zorrë, duke shkaktuar infeksione të majave te disa njerëz.
Prandaj, është shumë e rëndësishme të merren probiotikë së bashku me antibiotikët, të cilët veprojnë si një agjent balancues për të kontrolluar florën normale të zorrëve.
Dr. Raj është dakord, duke deklaruar se probiotikët kanë një sërë përfitimesh shëndetësore.
“Probiotikët janë lidhur me humbjen e peshës për shkak të aftësisë së tyre për të balancuar bakteret e zorrëve, për të përmirësuar tretjen, për të reduktuar inflamacionin që rezulton në fryrje dhe për të ndihmuar në përthithjen më të mirë të lëndëve ushqyese nga ushqimi”, shpjegon Dr. Raj.
Ai shton se probiotikët shoqërohen edhe me një metabolizëm më të shpejtë, ndaj ndikojnë pozitivisht në imunitetin. Raj raporton se disa njerëz kanë humbur disa kilogramë kur konsumojnë probiotikë për të përmirësuar tretjen dhe shëndetin e përgjithshëm.
Sigurisht, përpara se të merrni ndonjë vendim, duhet patjetër të konsultoheni me mjekun tuaj.
“Nëse antibiotikët janë absolutisht të nevojshëm, bisedoni me mjekun tuaj se si të ruani shëndetin e mirë të tretjes gjatë dhe pas trajtimit”, thotë Dr. Raj./FolDrejt/