Komuna e Prishtinës ende nuk e ka zgjedhur nënkryetarin e dytë. Kjo për arsye se Partia Demokratike e Kosovës ende nuk ka emër për këtë pozitë, të cilën mendohet se mund ta marrë ish-anëtari i Kryesisë së Lëvizjes Vetëvendosje dhe Partisë Socialdemokrate, Dardan Sejdiu, por fillimisht ky i fundit duhet edhe zyrtarisht të bëhet pjesë e PDK-së.
Kohëve të fundit në publik po qarkullojnë zëra se Sejdiu edhe aktualisht gëzon bashkëpunim të ngushtë me eksponentë të Partisë Demokratike të Kosovës në degën e Prishtinës, por që ende asgjë nuk është bërë publike.
Lidhur me këtë çështje është deklaruar edhe nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku e cila ka thënë se e mirëpret Dardan Sejdiun brenda strukturave të PDK-së.
“E çmoj Dardan Sejdiun, do të doja t’i bashkohej PDK-së. Shumë persona që kanë folur kundër PDK-së, tani janë pjesë e jona dhe janë bashkuar gjatë viteve. Jemi në demokraci. Në qeveri ka shumë persona që në të kaluarën kanë qenë pjesë e jona dhe kanë folur kundër LV-së”, ka thënë Çitaku në një debat televiziv.
Në anën tjetër, “lajmi.net” ka tentuar të flasë vet me Sejdiun, por telefoni i tij ka qenë i mbyllur për thirrje.
Edhe persona të tjerë kanë folur për një kalim të mundshëm të Sejdiut në PDK, sidomos pas deklaratës së Çitakut.
“Pse Dardanin, e jo Shpendin e Fisin. O kqyri po të mirë janë bre, këta o gjynah me i lanë pa pushtet. Ama me mujt diqysh tretë në pako me i pru, besoj që nuk kish pas krizë ma për PDK-në!”, ka shkruar Cakolli.
Edhe brenda PDK-së ka mendime të ndryshme rreth mundësisë së aderimit të Sejdiut në parti. Një pjesë e strukturave e pranon dhe një pjesë tjetër kundërshton që ky të jetë pjesë e subjektit politik e të marrë poste në Komunën e Prishtinës.