Në kohën kur rezultatet e zgjedhjeve në Kosovë janë të qarta – ku kanë fituar bindshëm partitë opozitare VV me 26 përqind dhe LDK me 25 përqind, tashmë janë ngjallur shpresat edhe për kundërshtarët e BDI-së që shpresojnë që edhe ajo të humbasë zgjedhjet si mbrojtësja e saj në Kosovë – PDK, informon foldrejt.com.
“E kur këtë skenë e kundron nga Shkupi, kjo bëhet po kaq e rëndësishme dhe mund të interpretohet si uverturë për zgjedhjet që priten këtu në vitin e ardhshëm. Partia politike shqiptare, që është në pushtet këtu nga viti 2002 (me një ndërprerje të shkurtër më pak se dy vjet), është bërë një qenie që e po ha vetveten pas brejtjes së madhe që ia ka bërë kombit shqiptar në Maqedoni. Siç dihet, ajo është një zgjatim i lëvizjeve ilegale të shqiptarëve të Jugosllavisë dhe një nëndegë e “partive të luftës” nga Kosova, e cila mbahet në pushtet këtu vetëm fale marifeteve të nëntokës dhe klientelizmit në zgjedhje.
Përveç kësaj, krejt rrjeti i shërbimeve, bizneseve dhe krimeve, që kanë qarkulluar gjatë këtyre viteve në këto hapësira (Kosovë, Maqedoni, Shqipëri), hallkë të tyre e kanë pasur edhe këtë parti. Andaj “komandantët e Kosovës” flasin për “liderë të shqiptarëve në Maqedoni” (që nuk e ka as gjysmën e votave shqiptare) dhe prandaj ato parti i thurin elozhe njëra-tjetrës. Janë matrica e njëjtë. Ato e ruajnë kështu hallkën e pashkëputur. Sepse, në momentin që bie një hallkë, këputet zinxhiri dhe bie skema “piramidale” parapolitike dhe politike. Për këto arsye është bërë shumë e rëndësishme se kush i fiton zgjedhjet në Kosovë. Sepse ky do të jetë informacion edhe se kush i fiton zgjedhjet shqiptare edhe në Maqedoninë e Veriut. E, kjo do të merret vesh në mbrëmjen e 6 tetorit. Më 1998, me Arbër Xhaferin, në Shkup ra titizmi shqiptar. Më 2020 radhën e ka të bie edhe enverizmi,” shkruan albanologu dhe anëtari i kryesisë qendrore të AlternAtivAs, dr. Zeqirija Ibrahimi.
Ngjashëm edhe lideri i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela, në një shkrim të ndjeshëm shkruante: “Shqiptarët në Kosovë sot u përcaktuan për vlerën themelore të demokracisë, NDRYSHIMIN. Urime
Vetëvendosje, urime Albin..
Erdhi dita të mbash mbi supet e tua peshën e zhvillimit dhe progresit të Kosovës, të kthesh shpresën.”
Por a ka shpresë që VV dhe LDK të tejkalojnë ndasitë dhe të bëhen bashkë kundër ish LPK-së apo LPK-ja ndodhet mes tyre me shumë figura?
Në anën tjetër, sot ka shpresë për gjithë kundërshtarët e LPK-së, pasi në fakt, ata kurrë nuk kanë fituar aq pak vota që prej kur janë krijuar. Dhe paramendo, me pushtetin absolut dhe shërbime të kudondodhura. LPK po perëndon shpejt, por si do jetë opozita e re?