1 shtatori i sivjetmë është duke u cilësuar si “i zymtë”. Shkak për këtë është bërë greva e punëtorëve të arsimit, të cilët, i janë përgjigjur në mënyrë masive thirrjes së Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), shkruan Fol Drejt.
Kjo e fundit po konsideron se thirrjet e saj të vazhdueshme për përmirësim të gjendjes financiare të punëtorëve të arsimit, në këtë kohë krize, po vijojnë të shpërfillen nga institucionet qendrore të vendit.
Nga Këshilli Grevist për Fol Drejt kanë thënë se kësaj thirrjeje i janë përgjigjur të gjitha shkollat, në nivel të vendit.
Të kontaktuar nga Fol Drejt, ata kanë thënë se:
“Aktualisht në të gjitha qytetet e Kosovës greva po respektohet dhe po mbahet”, por megjithatë, nuk e përjashtojnë mundësinë që në ndonjë shkollë, të mos përfillet thirrja për grevë.
Sipas tyre, në mesin e qindra profesorëve “dhe në mesin e 1200 shkollave sa kemi, mund të kemi informacione nga fundi, se ende nuk ka përfunduar orari, sipas udhëzuesit për grevë, mund të ketë 2, 3 ose 5 shkolla që punojnë.”
Fol Drejt e ka adresuar këtë pyetje edhe te Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), por deri më tani, nuk ka marr ndonjë përgjigje./FolDrejt/