Ditë pas pushtimit të Ukrainës, diktatori rus Vladimir Putin vendosi në gatishmëri armët bërthamore duke kërcënuar botën me fillimin e një luftë bërthamore. Ndërkohë që vazhdon pushtimi ushtarak i Ukrainës, i cili ka rezultuar shumë i kushtueshëm për Rusinë, lind pyetja a po luan Putin bllof.
Nga Oleg Sukhov, Kyiv Independent
Ditë pas pushtimit të Ukrainës, diktatori rus Vladimir Putin vendosi në gatishmëri armët bërthamore duke kërcënuar botën me fillimin e një luftë bërthamore. Ndërkohë që vazhdon pushtimi ushtarak i Ukrainës, i cili ka rezultuar shumë i kushtueshëm për Rusinë, lind pyetja a po luan Putin bllof.
Putin gjithashtu tha se kushdo që do të ndërhynte në luftën e tij kundër Ukrainës do të përballej me pasoja të rënda. Vendimi i Rusisë për të vënë në gatishmëri armër bërthamore ka ndikuar në vendimmarrjen e NATO-s.
Ndërsa presidenti i SHBA-së Joe Biden tha se amerikanët nuk duhet të shqetësohen për një kërcënim bërthamor të mundshëm, ai ka treguar gjithashtu se është i gatshëm të përpiqet për të shmangur përshkallëzimin me Rusinë. Ndërsa SHBA vazhdon të furnizojë Ukrainën me armë, refuzoi ta furnizonte me avionë luftarakë që Ukraina ka kërkuar ose të vendoste një zonë ndalim-fluturimi mbi hapësirën ajrore të vendit.
Biden tha se SHBA-ja kërkonte të shmangte një “Luftë të Tretë Botërore”.
Megjithatë, tani është e paqartë nëse ngurrimi i Perëndimit për të mbrojtur Ukrainën zbut rrezikun e një lufte bërthamore apo në fakt e rrit atë duke e inkurajuar Putinin të kryejë akte të mëtejshme agresioni.
“Duke pasur parasysh çmendurinë e Putinit, një luftë bërthamore nuk mund të përjashtohet”, tha eksperti ushtarak ukrainas Vyacheslav Tseluiko për Kyiv Independent.
Nga ana tjetër, Putin ka akuzuar vazhdimisht Ukrainën për prodhimin e armëve bërthamore. Në një fjalim për njohjen e rajoneve të Donbas të Ukrainës si shtete të pavarura më 21 shkurt, Putin pretendoi se Ukraina mund të prodhojë armë bërthamore. Në një fjalim të 24 shkurtit që justifikonte pushtimin rus të Ukrainës, Putin tha se Rusia do ta pengonte Ukrainën të zhvillonte armë të tilla.
Më 5 mars, Putin madje kërcënoi se do të asgjësonte shtetin ukrainas, duke thënë se planet e supozuara të Ukrainës për të zhvilluar armë bërthamore rrezikojnë “të ardhmen e shtetit ukrainas”.
Më 16 mars, ai përsëriti pretendimet e tij se Ukraina kishte planifikuar të zhvillonte armë bërthamore. Konkretisht, ai i është referuar deklaratës së presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky me 19 shkurt se Ukraina mund ta cilësojë si të pavlefshëm Memorandumin e Budapestit.
Sipas Memorandumit të Budapestit të vitit 1994, Rusia, SHBA-ja dhe Britania e Madhe u zotuan të mos përdorin forcën ushtarake kundër Ukrainës në këmbim që kjo e fundit të hiqte dorë nga armët bërthamore që kishte marrë nga Bashkimi Sovjetik.
Pavarësisht kësaj, Rusia shkeli memorandumin duke pushtuar Ukrainën në vitin 2014. Deklarata e Zelensky nxiti spekulime se Ukraina mund të prodhojë armë bërthamore si një mënyrë për të parandaluar agresionin rus.
Fiksimi i Rusisë me armët bërthamore
Megjithatë, Ministri i Jashtëm ukrainas Dmytro Kuleba tha më 23 shkurt se Ukraina nuk po planifikonte kurrë të zhvillonte armë bërthamore. Fiksimi i Rusisë me energjinë bërthamore doli në pah atëherë kur trupat rusë shënjestruan objektet bërthamore civile në Ukrainë.
Që prej 24 shkurtit, Rusia ka pushtuar centralet bërthamore të Çornobilit dhe Zaporizhzhisë. Moska ka bombarduar gjithashtu një reaktor bërthamor në Kharkiv. Propaganda shtetërore ruse ka akuzuar Ukrainën se po përpiqet të krijojë një pajisje për të shpërndarë materiale radioaktive në një zonë brenda objekteve të saj bërthamore.
Rusia ka akuzuar vazhdimisht Ukrainën për zhvillimin e armëve të shkatërrimit në masë, duke përfshirë ato biologjike dhe kimike. Kjo e ka shtyrë qeverinë amerikane të deklarojë se Rusia po përgatiste një operacion me flamur të rremë dhe po planifikonte të fajësonte Ukrainën.
A po luan bllof Putin?
Drejtori i CIA-s, William Burns, tha më 8 mars se presidenti rus është “i zemëruar dhe i frustruar”, por “jo i çmendur”. Nëse supozohet se Putini është të paktën disi racional, ai nuk ka gjasa të nisë një luftë bërthamore në shkallë të plotë.
James Acton, një bashkëdrejtor i programit të politikës bërthamore të Carnegie Endoëment, tha në një intervistë se ai beson se Putin e ka pranuar se përdorimi i armëve bërthamore do të ishte shumë i rrezikshëm.
Në këtë skenar, Putin po luan bllof pasi e di se një luftë bërthamore do të çojë në shkatërrimin edhe të vendit të tij. Putin po kërcënon me përdorimin e armëve bërthamore për të ndaluar NATO-n që të mos ti sigurojë më mbështetje Ukrainës, duke përfshirë vendosjen e një zone ndalim-fluturimi të kërkuar nga Zelensky.
Analisti politik ukrainas Volodymyr Fesenko është ndër ata që thonë se gjithçka mund të ndodhë në këtë pikë.
“Nga pikëpamja racionale, ekziston mundësia e një lufte bërthamore ” tha ai për Kiev Independent. “Por ne mund të presim çdo gjë nga Putin.
Kemi të bëjmë me një maniak që vepron pa arsye.”
Luftë bërthamore apo konvencionale?
NATO ka refuzuar të ndërhyjë ushtarakisht në luftën në Ukrainë bazuar në supozimin se një konflikt midis NATO-s dhe Rusisë ka të ngjarë të shndërrohet në një luftë bërthamore. Por ekziston edhe argumenti se Lufta e Tretë Botërore, diçka e përmendur shpesh nga Biden, nuk duhet të jetë bërthamore.
Sipas këtij këndvështrimi, një luftë konvencionale midis Rusisë dhe Perëndimit ka më shumë gjasa të ndodhë sepse të gjitha palët do të kenë frikë nga shkatërrimi në rast të një lufte bërthamore.
“Përvoja e Luftës së Ftohtë tregon se fuqitë e mëdha mund të bëjnë luftëra konvencionale pa përdorur armë bërthamore,” tha Tseluiko.
Ai përmendi si shembuj luftërat ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik në Kore dhe Vietnam. Në këtë skenar, Rusia ka shumë pak shanse për të korrur sukses.
“Në një luftë konvencionale, Rusia nuk ka asnjë shanc për të fituar një luftë me NATO-n”, shtoi Tseluiko.
Disa besojnë se një luftë e kufizuar me armë taktike bërthamore ruse që synojnë Ukrainën ose vendet e NATO-s ka më shumë gjasa të ndodhë sesa një luftë bërthamore në një shkallë të plotë.
Rreziqet e një luftë bërthamore
Ndërsa Perëndimi ka frikë të antagonizojë Putinin për shkak të frikës së një lufte bërthamore, dobësia e tij mund të rrisë në të vërtetë rreziqet e një lufte të tillë në të ardhmen. Sazonov argumentoi se frika e Perëndimit nga armët bërthamore u jep fuqive bërthamore si Rusia një mundësi për të kryer akte agresioni, duke përfshirë ato me përdorimin e armëve atomike.
Kjo gjithashtu mund të çojë në një përhapje masive të armëve bërthamore në mbarë botën, shtoi ai.
“Mungesa e përgjigjes ushtarake ndaj kërcënimit bërthamor të Putinit është pikërisht ajo që e bën luftën bërthamore të pashmangshme në të ardhmen,” tha ai.
“Perëndimi sapo ka treguar se kërcënimet bërthamore mund të përdoren jo si një armë mbrojtëse, por si një armë sulmuese; jo si një mjet që i pengon fuqitë e mëdha nga fillimi i luftërave, por si një mjet që i pengon fuqitë e mëdha të ndërhyjnë në luftëra.”/ABC/