Transmetimi i Covid në Evropë është përshpejtuar javët e fundit, por duke qenë se shumica e vendeve nuk ofrojnë të dhëna të plota për këtë, ekspertët nuk janë në gjendje të vlerësojnë situatën aktuale, njoftoi sot Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC).
Të dhënat e publikuara nga ECDC tregojnë një rritje të numrit të rasteve në periudhën e fundit të monitoruar prej 14 ditësh, e cila përfundoi më 27 gusht, dhe gjithashtu tregojnë se testimi është reduktuar ndjeshëm, raporton Politiko, përcjell Fol Drejt.
Mungesa e të dhënave është edhe më e theksuar kur bëhet fjalë për shtrimet në spital dhe vdekjet.
Vetëm një e treta e vendeve raportuan të dhëna për pranimet në spital ose kujdesin intensiv, dhe rreth gjysma raportuan të dhëna për vdekjet nga Covid, tha ECDC.
Njoftimi pasoi një paralajmërim të Drejtorit të Përgjithshëm të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Tedros Adhanom Ghebreyesus, se numri i pranimeve në terapi intensive po rritet në Evropë, por ai gjithashtu theksoi se ata po punojnë “verbërisht”, sepse më pak se një e katërta e anëtarëve të OBSH-së raportojnë vdekje dhe vetëm 20 vende japin informacion mbi shtrimet në spital.
Të dhënat e sotme të ECDC tregojnë zbulime sporadike në BE të nënvariantit Omicron BA.2.86, i cili është shfaqur javët e fundit për shkak të një numri të madh mutacionesh dhe mund të anashkalojë përgjigjen imune njerëzore.
BA.2.86 është shumë i ndryshëm nga shtamet e Covid që qarkullojnë aktualisht, duke ngritur shqetësime për rritjen e riinfeksioneve, tha ECDC.
Të dhënat e fundit vijnë në një kohë kur hemisfera veriore po hyn në vjeshtë dhe dimër, e cila në vitet e mëparshme kërcënohej nga një “epidemi e trefishtë” – Covid, gripi dhe virusi sincicial respirator (RSV).
Të dhënat e publikuara të mërkurën nga firma analitike shëndetësore Airfinity treguan, megjithatë, se “epidemia e trefishtë” pritet të jetë më pak e rëndë se vitin e kaluar, sepse majat e secilës nuk do të mbivendosen./FolDrejt/